Teksa ka rinisur seanca gjyqësore ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, e dy të pandehurve të tjerë, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, vihet re se ish-Presidenti i Republikës ndodhet në kushte të tjera nga çfarë është mësuar të shihet.
Kjo foto tregon momentin kur Monika Kryemadhi është duke hyrë në seancën gjyqësore, teksa Ilir Meta, ndodhet pas kafazit prej xhami.
Ata priten të njihen me masën e sigurisë që GJKKO-ja ka caktuar ndaj tyre.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Meta akuzohet për veprat penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Për këto vepra penale, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Ilir Metën.
Për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, është caktuar masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprave penale:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2 raste dhe në bashkëpunim,
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim,
- “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”
Ndaj të atit të deputetës së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, Pirro Xhixho, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim.
Së fundmi, ndaj Ema Çokut, u caktua masa e sigurisë “ detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për kryerjen e veprës penale ““Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim.