Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres së Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentit, Erjona Ismaili për komentet që ajo bëri për Arben Ahmetajn.
Me anë të një postimi në Facebook, Blushi shkruan se Ahmetaj është e vetmja pasqyrë që i ka mbetur socialistëve.
Ai i drejtohet ministres duke i kërkuar të mos përsërisë deklaratat e kryeministrit, duke paralajmëruar se politikanë të tjerë që dikur flisnin me superlativa për Ramën, më vonë kanë ndryshuar qëndrim.
“Zonja Ministre pa emër, mos recito më ato që të jep Edi Rama. Para teje kanë recituar plot të tjerë, me të njëjtët superlativ, me të njëjtin zell dhe shumë herë më bukur.
Sot disa prej tyre janë penduar, ndërsa disa të tjerë kanë nisur të tregojnë histori krejt të ndryshme nga ato që recitonit dikur.
Dhe kujdes, sepse nesër mund të gjendesh duke shpjeguar se ke qenë pjesë e organizatës kriminale me dashje, dhe jo thjesht “pa dashje””, shkruan Blushi.
Deputeti i opozitës deklaron se nuk merr përsipër të mbrojë Arben Ahmetajn, por e cilëson atë si një figurë të rëndësishme në denoncimet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Unë nuk marr përsipër të merrem me zotin Ahmetaj dhe aq më pak të bëj avokatin e tij. Ai di ta bëjë shumë mirë vetë mbrojtjen e tij. Por një gjë është e pamohueshme, sot ai është shndërruar në një ‘institucion’ kyç në denoncimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit”, shkruan Blushi.
Reagimi i Blushit:
Ministres pa emër, që i vjen ndot nga e vetmja pasqyrë që i ka mbetur socialistëve!
Fatkeqësisht, socialistëve sot u ka mbetur si pasqyrë e vetme, Arben Ahmetaj. Madje, aq shumë e tepron me rolin si pasqyrë, sa edhe vetë Ahmetaj duket sikur po e qan hallin e PS-së më shumë se hallin e Shqipërisë.
Ndaj, zonja Ministre pa emër, mos recito më ato që të jep Edi Rama. Para teje kanë recituar plot të tjerë, me të njëjtët superlativ, me të njëjtin zell dhe shumë herë më bukur.
Sot disa prej tyre janë penduar, ndërsa disa të tjerë kanë nisur të tregojnë histori krejt të ndryshme nga ato që recitonit dikur.
Dhe kujdes, sepse nesër mund të gjendesh duke shpjeguar se ke qenë pjesë e organizatës kriminale me dashje, dhe jo thjesht “pa dashje”.
Unë dua të besoj se je “pa dashje”.
Në fund të fundit, dikur edhe Ahmetaj fliste për Edi Ramën me superlativa.
Sot, të paktën, ai u flet socialistëve nga një prej vendeve më demokratike që njeh planeti, dhe jo nga Bjellorusia apo Koreja e Veriut.
Unë nuk marr përsipër të merrem me zotin Ahmetaj dhe aq më pak të bëj avokatin e tij. Ai di ta bëjë shumë mirë vetë mbrojtjen e tij. Por një gjë është e pamohueshme, sot ai është shndërruar në një “institucion” kyç në denoncimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit.
Dhe sa për ftesën tënde për t’u përballur me drejtësinë, të kujtoj se Ahmetaj nuk është arratisur nga drejtësia por nga organizata kriminale ose siç i themi ne të opozitës, Narkoregjimi ose KAYO-organizata.
Madje, nê fillim edhe unë e kam vënë në dyshim Ahmetajn kur fliste për një shishe vere që pinte Edi Rama dhe që, sipas tij, kushtonte 33 mijë euro.
Pastaj erdhi historia e kantinës së Gysit, me vlerë 3 milionë euro, dhe aty, sinqerisht, mbeta pa fjalë.
Sidomos kur “magjistari” arriti të bënte të zhdukej edhe kantina, që u sekuestrua ditën dhe çuditërisht natën, u shndërrua në lakuriq nate dhe fluturoi në drejtim të paditur dhe ende nuk dihet ku përfundoi.
Megjithëse gojët e liga thonë se kantina fshihet në bodrumet e Surrelit.
Sa për nofkën “Tigri”, nuk ia vura unë.
E ka pagëzuar vetë Edi Rama, sepse, sipas tij Ahmetaj e meritonte në të gjitha kuptimet këtë emër të dytë.
Dhe sot, kur sheh ato tigrat rangalla të ardhura nga Bangladeshi që nuk prodhojnë energji elektrike, të vjen keq që dhe koncepti i Ramës për tigrat është bërë impotent.
Prandaj, zonja Ministre pa emër, pak frena!
Sepse kjo puna e recitimit ka një fund të keq, sot reciton, nesër justifikohesh, pasnesër pendohesh dhe një ditë të bukur të thërrasin kolegët e tu dhe të detyrojnë të shpjegosh se çfarë dije, çfarë nuk dije dhe sa “pa dashje” e dije. Madje edhe nëse nuk ke bërë vetë ndonjë krim deri atëherë, mund të të akuzojnë dhe të të dënojnë për mos kallëzim krimi.
Në politikë mund ta heqësh pasqyrën nga muri. Edhe mund t’ja dalësh ta thyesh.
Por, fatkeqësisht, nuk mund t’i zhdukësh copat.
Dhe copat e pasqyrës kanë një ves të keq:
vazhdojnë të tregojnë fytyrën.
Ndaj nuk ta ka fajin pasqyra “AHMETAJ 5”!
As pasqyra “AHMETAJ 6”!
THELLOHU E DASHUR!
The post “Mos recito ato që të jep Rama, sepse fundi është i keq”, Tedi Blushi reagon ndaj deklaratave të ministres Ismaili: Ahmetaj, e vetmja pasqyrë që i ka mbetur socialistëve! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



