Forumi Shqiptar në Mal të Zi ka ftuar ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, që të jetë pjesë e javës së dytë të Akademisë Politike që organizohet nga kjo forcë politike shqiptare. Në njoftimin zyrtar, Forumi Shqiptar vlerëson lart përvojën e Osmanit në qeverisje, diplomaci dhe proceset eurointegruese, duke e cilësuar atë si një prej figurave që ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ftesa vjen në një periudhë kur Osmani vazhdon të jetë aktiv në jetën politike të Maqedonisë së Veriut si nënkryetar i BDI-së, ndërsa njëkohësisht është angazhuar në ndërtimin e kapaciteteve të reja politike përmes Akademisë Politike të themeluar në kuadër të partisë. Aktiviteti i tij i fundit është fokusuar kryesisht në dimensionin ndërkombëtar të çështjeve që prekin shqiptarët në vend, me theks të veçantë në raportet me institucionet evropiane.
Gjatë muajve të fundit, Osmani ka zhvilluar një seri takimesh dhe aktivitetesh në Bruksel me eurodeputetë, diplomatë dhe përfaqësues të institucioneve evropiane, duke e vendosur në agjendën evropiane debatin për pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kjo ofensivë diplomatike u reflektua edhe në raportin e fundit të Parlamentit Evropian për vendin, ku u përfshi amendamenti që kërkon zgjidhjen e çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore dhe bën thirrje që protestat e studentëve shqiptarë të mos paraqiten si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues.
Në këtë kontekst, ftesa e Forumit Shqiptar shihet si një vlerësim për kontributin politik dhe diplomatik të Osmanit, por edhe si njohje e rolit të tij në ndërkombëtarizimin e çështjeve që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Përmes pjesëmarrjes në Akademinë Politike në Mal të Zi, Osmani pritet të ndajë përvojën e tij në diplomaci, integrime evropiane dhe menaxhim të proceseve politike, me fokus tek brezat e rinj të angazhuar në jetën publike dhe politike shqiptare në rajon.


