Alsat 2019-06-01T16:01:49+02:00
Rikonstruimi i paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev do të fokusohet kryesisht në zhvillimin ekonomik. I pari ekzekutivit ka vlerësuar se rezultati i dobët zgjedhorë nga zgjedhjet presidenciale, ka ardhur kryesisht si pasojë e zhgënjimit të qytetarëve dhe mos plotësimit të premtimeve të Qeverisë në sferën e ekonomisë, uljes së papunësisë dhe investimeve kapitale. Zaev thekson se është koha e fundit që institucionet të punojnë në bazë të programit ekonomik.
Nuk jam i kënaqur nga ajo që është bërë deri tani sepse qytetarët nuk janë të kënaqur. Të gjitha gjërat që po i bëjmë duhet të tregojnë rezultat për faktin se kemi premtuar jetë për qytetarët. Premtuam jetë për të gjithë dhe këtë duhet ta bëjmë. Nuk jemi të kënaqur. Presim ekspansion. Të gjitha vendet që kanë hyrë në BE dhe NATO e kanë arritur një gjë të tillë dhe njëlloj presim edhe ne. Kjo do të materializohet vetëm nëse ne i forcojmë performancat tona njerëzore dhe institucionale, për të cilat paguhemi nga qytetarët”-tha Zoran Zaev, kryeministër.
Por ekspertët thonë se ideja e kryeministrit Zaev është e vonuar. Sipas ish ministri dhe ish deputetit, Naser Ziberi, periudha 1 vjeçare deri kur vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare është e pamjaftueshme për ministrat e rinj që t’i përmirësojnë lëshimet 3 vjeçare të paraardhësve të tyre. Megjithatë Ziberi vlerëson se Zaev është i obliguar të bëj ndryshime në kabinetin Qeveritar.
Mendoj se periudha është e shkurtë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare për të pasur një kohë të mjaftueshme që kuadri i ri të tregon efekte dhe rezultate në punën e vet. Kuptohet se kryeministri është i detyruar ta bëjë rikonstruimin e Qeverisë, madje më të thellë, si rezultat i zgjedhjeve të fundit presidenciale në të cilat u dëshmua se qytetarët janë të pakënaqur me rezultatet që ka prodhuar kjo Qeveri, sidomos në planin ekonomik dhe planin e brendshëm. I shtyrë nga ky presion ai detyrohet të bëj rikonstruim, i cili nuk është garancia se do të jep rezultate për qytetarët, por do të jetë amortizatorë i opinionit negativ që është krijuar ndaj Qeverisë”-pohoi Naser Ziberi, ish-ministër.
Në kuadër të rikonstrumit, kryeministri Zaev ka paralajmëruar ndryshimin e 1/3 së kabinetit Qeveritar, duke shtuar se ndryshimet do të aplikohen sipas vertikales. Madje sipas kryeministrit, ndryshimet do të prekin edhe nivelin lokal, drejtoritë dhe komunat të cilat sipas tij nuk kanë plotësuar pritshmërinë e qytetarëve.
Adrian Kerimi
Loading…



