Dhjetëra forca policore kanë zbarkuar në qytezën e Ksamilit që nga mbrëmja e së hënës, në kuadër të një operacioni “Top-Sekret” që po zhvillohet nga forcat operacionale, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) dhe policia lokale e Sarandës, raporton News24.
Sipas burimeve, operacioni është ndërmarrë për kapjen e disa personave me rrezikshmëri të lartë, të cilët deri më tani nuk janë lokalizuar. Dy furgonë me efektivë të FNSH-së po krehin zonën nga Ksamili deri në Butrint, ndërsa janë ngritur pika kontrolli në të gjitha hyrje-daljet e qytezës.
Prej paradites së sotme, agjentët e policisë kanë nisur këqyrjen e kamerave të sigurisë në disa biznese për të identifikuar të dyshuarit. Burime konfidenciale bëjnë me dije se dyshohet se ka pasur edhe përplasje mes autorëve të dyshuar dhe forcave të rendit, çka ka sjellë edhe ndërhyrjen e forcave shtesë.
Ndërkohë, hyrje-daljet e Ksamilit po mbikqyren nga forcat “Shqiponja”, ndërsa operacioni pritet të shtrihet deri në zonën e kufirit shqiptaro-grek, në territorin e Bashkisë së Konispolit.