“Vetja dhe tjetri në Ballkan” dhe problemet e tyre identitare, kulturore dhe politike, janë subjekt ligjërimi në shkollën verore të organizuar këtë vit nga Fondacioni FOCIC. Ky program, siç sqaron Latif Mustafa nga ky fondacion, synon t’i tubojë studentët e trojeve shqiptare të cilët kanë interesim për debatet teorike, të cilat do të zhvillohen nga profesorë të shquar nga troje të ndryshme shqiptare.
“Arsyeja e mbajtjes së një shkolle të tillë verore me temën apo subjektin e diskutimit vetja dhe tjetri në Ballkan ka për qëllim që të krijoj një mundësi për një debat teorik, përmes së cilit do të diskutohen problematikat, projeksionet, hulumtimet empirike dhe tekstuale që kanë të bëjnë me projektimin e tjetrit në kuadër të zhvillimit të individualitetit dhe kolektiviteteve në Ballkan”, deklaroi Latif Mustafa nga Fondacioni Focic.
Sipas tij, filozofia apo ideologjia e cila ka rrjedhur pas kolonizimit të vendeve të Lindjes së Mesme, përmes ideologjisë së orientalizmit, është aplikuar edhe në Ballkan, duke projektuar Ballkanin si tjetri. Ai thekson se kjo shkollë do të trajtojë këto tema duke vendousur përqëndrimin më tepër në çështjen e shqiptarëve
“Nevoja për ta mbajtur një shkollë të tillë buron nga emergjenca e një debati të tillë me karakter sociologjik, por pse jo edhe filozofik dhe psikologjik. Një qasje e tillë multidiciplinare do t’u mundësonte studentëve të cilët do të marrin pjesë aty që ta përforcojnë apo ta zhvillojnë edhe më tepër horizontin e tyre të shkencave sociale”, shtoi ai.
Kjo shkollë verore me temë: “Vetja dhe Tjetri në Ballkan” do të organizohet në Mavrovë gjatë datave 08-11 Shtator. Ky është viti i katërt i organizimit të shkollës verore nga ky fondacion. Tri organizimet e para janë mbajtur në gjuhën angleze, kurse ky organzimi i fundit do të bëhet në gjuhën shqipe.
Teuta Buçi /SHENJA/

