Pavarësisht vendimit të djeshëm të OBSH ku shpalli rrezik botëror virusin Korona, autoritetet në vend thonë se jemi larg rrezikut nga virusi vdekjeprurës dhe se deri tani asnjë shtetas i Maqedonisë që ndodhet jashtë kufijve nuk është i rrezikuar apo i dyshuar si i prekur nga ky virus. Pas takimit me Komisionin për sëmundje ngjitëse, ministri i Shëndetësisë Filipçe, tha se pos masave të vendosura në Aeroportin e Shkupit, masa informative do të zbatohen edhe nëpër kalimet kufitare.
Ende vlejnë të gjitha masat që implementohen në aeroportin e Shkupit, do të distribuohen materiale informative edhe në vende tjera si stacionet policore, doganat dhe kalimet tjera kufitare. Gjatë ditës do të organizohen takime edhe me organizata tjera si ministria e Brendshme, doganat e Qendrën për menaxhim me kriza që t’i informojmë për hapat tonë dhe për nevojën derisa ekziston për tu intervenuar – deklaroi Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Vendi ynë i ndërmerr këta masa, në përputhje me rrezikun e mundshëm. Siç ndryshojnë dyshimet ne e ngrisim nivelin e gatishmërisë sonë për të ndërmarrë masa adekuate – tha Vlladimir Mikik, Epidemiolog.
Sipas të dhënave të OBSH deri më tash me koronavirus janë infektuar rreth 10,000 persona ndërsa aktualisht nga kjo sëmundje kanë ndërruar jetë 213 persona, të gjithë në Kinë. OBSH komunikoi gjithashtu se 98 raste të prekura nga virusi vdekjeprurës janë regjistruar në 18 shtete tjera të botës.
Numri i rasteve të prekura me koronavirusin e ri ka tejkaluar epideminë e Sarsit, i cili ishte shpërndarë në dhjetëra shtete në vitin 2003. Në atë vit ishte raportuar për 8,100 raste të prekura me Sars, virus që kishte shkaktuar probleme të rënda me frymëmarrje./Alsat



