Vendimi i Gjykatës Administrative për të pranuar njërën prej ankesave të Lëvizjes BESA për parregullsi në vendvotimin 2901 e ka kthyer nga fillimi të gjithë procesin zgjedhor në Komunën e Çairit. Tashmë ka mundësi që të përmbyset rezultati që e nxirrte fitues Visar Ganiun me vetëm 209 vota diferencë me kandidatin e Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi.
Pas përfundimit të votimeve të rrethit të dytë të zgjedhjeve, përfaqësuesit e Lëvizjes BESA deklaruan se procesi ishte përplot parregullsi, presione dhe blerje të votave, diçka që u materializua më pas me 86 ankesa vetëm për Komunën e Çairit.
Megjithë këto, pasuesit e zjarrtë të BDI-së festuan bujshëm menjëherë pas marrjes së rezultateve që e nxirrnin fitues kandidatin e partisë së tyre.
Nuk munguan as kallashët, ndërsa ka bërë bujë videoja ku vet kandidati Visar Ganiu reagon në afekt pas krismave në afërsi që kokës së tij.
Festa e zhurmshme e militantëve të BDI-së nëpër rrugë nuk ishte më pak e zhurmshme edhe në rrjetet sociale, ku theksohej mburrja për fitoren e kandidatit të tyre, ndërsa nuk mungonin as komentet me cinizëm, por edhe fyerjet për kundërkandidatin, i cili cilësohej si “humbës i madh”.
E ndërkohë, pas vendimit të fundit të Gjykatës Administrative del që kjo ishte një festë e parakohshme. /SHENJA/

