Anthony Fauci, ish-drejtori i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive në SHBA, ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve mbi origjinën e COVID-19 gjatë një seance dëgjimore në Kongres, duke ushtruar të drejtën e Amendamentit të Pestë të Kushtetutës amerikane, që i lejon të mos japë dëshmi që mund ta vetëinkriminojë.
Gjatë dëshmisë së tij, Fauci akuzoi senatorin republikan Rand Paul për një “obsesion të pabalancuar” ndaj tij, duke thënë se thirrja para komisionit kishte si qëllim ta detyronte të bënte deklarata që do të mbështesnin akuzat publike të senatorit.
“Kam dëshmuar më shumë se 200 herë para Kongresit gjatë 38 viteve në krye të institutit dhe gjithmonë kam respektuar mbikëqyrjen parlamentare. Por komentet shpifëse, kërkesat e vazhdueshme për ndjekjen time penale dhe publikimi i ditarit tim personal më bëjnë të besoj se kjo seancë synon vetëm të më vendosë në pozitë të vështirë”, deklaroi Fauci.
Nga ana tjetër, Rand Paul ka përsëritur akuzat se Fauci financoi kërkime në Kinë që, sipas tij, çuan në shpërthimin e pandemisë dhe më pas gënjeu Kongresin. Megjithatë, për këto pretendime nuk janë paraqitur prova dhe Fauci i ka mohuar vazhdimisht.
Ish-zyrtari amerikan kujtoi gjithashtu se ka marrë një falje parandaluese nga ish-presidenti Joe Biden, e cila e mbron nga procedimet penale federale për veprime të kryera deri më 19 janar 2025.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër përmes rrjetit social Truth Social, duke sulmuar Faucin dhe duke e cilësuar punën e tij gjatë pandemisë si të dështuar.
“Idetë e Anthony Faucit ishin të çmendura. Shumë më tepër njerëz vdiqën nga COVID-19 gjatë administratës Biden sesa gjatë administratës sime”, shkroi Trump.
Ai përsëriti gjithashtu pretendimin se virusi kishte origjinën nga laboratori në Wuhan të Kinës, duke akuzuar Faucin se “gjithmonë përpiqej të mbronte Kinën”. Trump kritikoi edhe ndryshimin e qëndrimit të imunologut për përdorimin e maskave, ndërsa theksoi se nuk pranoi mbylljen e plotë të vendit, pavarësisht rekomandimeve të ekspertëve.
Deklaratat e fundit rikthejnë në qendër të debatit politik amerikan çështjen e menaxhimit të pandemisë dhe origjinës së COVID-19, një temë që vazhdon të mbetet objekt përplasjesh mes republikanëve dhe demokratëve.
/tvklan.al



