01 September
Gjendja aktuale politike në Maqedoni , me theks të veçantë implementimi i planit 3-6-9 dhe proceset reformuese në institucione ishin në fokusin e bisedimeve mes eurodeputetëve, kryeministrit Zoran Zaev dhe përfaqësues të partive politike në vend.
Në takimin e kryeministrit me tre deputetët e parlamentit evropian janë theksuar planet reformuese të qeverisë, politika ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore. Ndërkohë që nuk janë anashkaluar as zgjedhjet e ardhshme lokale , me çrast Zaev ka theksuar se pret që zgjedhjet lokale të jenë korrekte dhe të besueshme, pasi këto zgjedhje në masë të madhe do ta përcaktojnë drejtimin për lëvizjen e Maqedonisë në rrugën evropiane.
Vajgëll, Kukan dhe Flekenshtajn kanë biseduar edhe me liderin e BDI-së Ali Ahmeti, i cili takimin e ka vlerësuar si të rëndësishëm. Ahmeti madje ka garantuar euro-deputetët se ai dhe subjekti që ai drejton do të angazhohen kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Përveç për gjendjen aktuale politike, mysafirët e BE-së janë interesuar edhe për punën e Kuvendit.
Ata u interesuan për punën tonë dhe pikëpamjen sa i përket punës së këtij Kuvendi që nga formimi i qeverisë së re më 1 qershor, për bashkëpunimin me opozitën, treguan interes për gatishmërinë tonë të dëshmojmë vullnet për gjithëpërfshirje për proceset që vijojnë- deklaroi Tomislav Tuntev, LSDM.
Me kumtesë të përbashkët pas takimeve dolën edhe anëtarët e parlamentit evropian duke theksuar rendësin e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Ata kërkuan nga subjektet politike që tu mundësojnë qytetareve një proces demokratik zgjedhor.
Para zgjedhjeve lokale, ne gjithashtu i inkurajojmë të gjithë përfaqësuesit politik dhe institucionet të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe të garantojnë që të gjithë qytetarët të kenë të drejtë në mënyrë të lirë ta realizojnë të drejtën e tyre demokratike”, porositën Kukan, Vajgël dhe Flekenshtajn.
Sipas të cilëve dialogu politik është me rëndësi esenciale për progres në reforma dhe për përmirësimin e klimës politike.
Alsat M

