Sipas Mickoskit, propozimi, ashtu siç është, e kërcënon edhe më shumë pozitën e vendit në kuadër të progresit drejt BE-së.
Në anën tjetër dy partitë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) mbështesin pa kushte ndryshimet kushtetuese, me të vetmin qëllim që Maqedonia e Veriut të ecë pa pengesa në rrugën e saj drejt BE-së.
Ndërkaq, Lëvizja BESA dhe Alternativa kanë caktuar kushtet e tyre për ti mbështetur ndryshimet kushtetuese, me çka renditen në anën e opozitares VMRO-DPMNE e cila i kundërshton ndryshimet e nevojshme kushtetuese, dhe me këtë edhe përcaktimin strategjik të vendit anëtarësimin e plotë në BE.
Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka deklaruar se kemi edhe pak muaj për t’u përgatitur për hapjen e klasterave dhe kapitujve dhe për të vazhduar procesin negociator.
“Çelësi është te ne, të gjithë duhet të tregojmë përgjegjësi politike, pjekuri dhe përgjegjësi ndaj të tashmes dhe të ardhmes së vendit”, ka deklaruar Osmani, përcjell Indeks.mk
Në dy javët e fundit ministra nga disa shtete evropiane, të cilët ishin në Shkup për takime me qeverinë dhe opozitën, dërguan mbështetje dhe mesazhe për të bërë ndryshimet kushtetuese. Ata besojnë se tani është momenti për të vazhduar rrugën evropiane, pra ndryshimin e Kushtetutës, por edhe se duhet të punohet edhe për reforma, duke filluar nga shteti i së drejtës, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, reforma në administratën publike e të tjera.
Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, ambasadori David Gir, ka deklaruar se është e rëndësishme që të ketë një debat publik lidhur me ndryshimet kushtetuese dhe se e mirëpresin atë që ndodhi me miratimin e tekstit për ndryshimet kushtetuese në Qeveri.
Çështja e ndryshimeve kushtetuese, thotë Gir, është një vendim sovran i vendit tuaj, është një çështje që duhet ta trajtojë vendi juaj.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në një debat për Ballkanin Perëndimor para Nën-komitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, theksoi se Uashingtoni e mbështet procesin për ndryshime kushtetuese që do të mundësojnë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por se është i angazhuar edhe me qeverinë e re të Bullgarisë për të siguruar që ajo të mos bëjë kërkesa të reja.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë hapur tashmë negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe janë partnerë të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve në NATO, të cilët po mbrojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.(Indeks.mk)


