Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, Fondacioni për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe Ndihmë Humanitare (IHH) dhe Qendra Kërkimore për Çështje Humanitare dhe Shoqërore (İNSAMER) organizuan Forumin “Mbi të djeshmen dhe të sotmen e Bektashizmit në Ballkan”. Në takim morën pjesë akademikë, studiues, përfaqësues fetarë, drejtues të organizatave të shoqërisë civile dhe gazetarë nga Turqia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. U trajtuan zhvillimi historik i bektashizmit në Ballkan, gjendja e tanishme dhe e ardhmja e saj.
Në këtë Forum, i cili bashkoi 19 pjesëmarrës nga katër vende, u diskutuan tema si rrugëtimi historik i bektashizmit nga Anadolli në Ballkan, vendi i tij në jetën fetare dhe kulturore të shoqërive ballkanike, roli i teqeve në arsim dhe kulturë, përcjellja e traditës alevi-bektashiane te brezat e ardhshëm dhe zhvillimi i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve bektashiane të rajonit.
Një nga çështjet kryesore të rendit të ditës ishte projekti për krijimin në Tiranë të një entiteti sovran bektashian sipas modelit të Vatikanit, të cilin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e paraqiti në vitin 2024 nga foltorja e Kombeve të Bashkuara. Në takim u diskutuan nga këndvështrime të ndryshme ndikimet e mundshme të kësaj nisme mbi myslimanët dhe komunitetet e tjera fetare në Shqipëri, si dhe mbi komunitetet alevi-bektashiane në Ballkan. Pjesëmarrësit u shprehën se duhet ruajtur identiteti historik i bektashizmit dhe se duhet ngritur një komunikim institucional më i fortë ndërmjet komuniteteve bektashiane të rajonit.
Atalay: “Pse të mos jetë i mundur një Kuvend Bektashian i Ballkanit?”
Osman Atalay, anëtar i Bordit të IHH-së, studiues dhe shkrimtar, njëri nga organizatorët e forumit, theksoi në fjalimin e tij rëndësinë historike dhe shoqërore të bektashizmit në Ballkan dhe hodhi idenë e krijimit të një kuvendi të përbashkët që do të përfshinte komunitetet bektashiane të rajonit. Atalay tha se projekti i shtetit bektashian, të cilin Kryeministri Edi Rama e paraqiti në vitin 2024 nga foltorja e OKB-së, ka nxitur debate jo vetëm ndër bektashinjtë, por edhe ndër komunitetet e tjera fetare në Shqipëri. Sipas tij, kjo ide ka ndikuar mbi bektashinjtë dhe komunitetet e tjera fetare, në radhë të parë në shoqërinë shqiptare, por edhe në Ballkan dhe në Turqi. Atalay deklaroi se mendimi për krijimin e një “mikroshteti bektashian” të ri dhe të pavarur brenda Shqipërisë, ka shkaktuar habi dhe debat edhe ndër komunitetet ortodokse, katolike dhe sunite të vendit. Atalay shprehu mendimin se në Shqipëri, e cila shquhet për karakterin e saj shumëfetar dhe shumëkulturor, një nismë e tillë mund të përbëjë rrezik për unitetin dhe bashkimin shoqëror.
Sipas Atalayt, këto debate kanë nxjerrë në pah edhe nevojën për një strukturë institucionale të përbashkët ndërmjet komuniteteve bektashiane që jetojnë në vendet e Ballkanit dhe gjetiu. “Kjo ka marrë një rëndësi të madhe për riformësimin, përditësimin dhe mbajtjen gjallë të trashëgimisë dhe të traditës bektashiane në Ballkan,” vlerësoi ai.
“Mund të themelohet një Këshill Bektashian i Ballkanit gjithëpërfshirës, pa ndikimin e politikës ndërkombëtare”
Në fjalimin e tij, Atalay propozoi që komunitetet bektashiane, në vend të debatit për shtetformim, të bashkohen nën një strukturë civile dhe institucionale.
“Pse të mos jetë e mundur të themelohet një Këshill Bektashian i Ballkanit, gjithëpërfshirës, pa ndikimin e politikës ndërkombëtare? A mund ta përmbushë një ombrellë institucionale rolin dhe funksionin e shoqërisë civile?” pyeti Atalay. Ai theksoi rëndësinë e krijimit të një strukture institucionale të përbashkët ndërmjet komuniteteve bektashiane që jetojnë në vende të ndryshme të Ballkanit, si dhe të veprimtarisë së saj në fushën e shoqërisë civile.
Atalay theksoi se në këtë kuadër mund të krijohet një platformë gjithëpërfshirëse komunikimi, ku komunitetet bektashiane të zhvillojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre, të ruajnë trashëgiminë e tyre historike e kulturore dhe të diskutojnë çështjet e përbashkëta. Duke folur edhe për zhvillimin historik të bektashizmit, Atalay theksoi se kjo traditë, e cila u përhap në Anadoll dhe në Ballkan që nga shekulli XIII, u institucionalizua gjatë periudhës osmane si një strukturë shoqërore dhe fetare.
“Roli i bektashizmit në zhvillimin e lidhjeve historike, kulturore dhe shoqërore ndërmjet Turqisë dhe vendeve të Ballkanit duhet studiuar nga këndvështrime të ndryshme dhe duhet ruajtur përmes punimeve akademike. Ai theksoi se ka nevojë për zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe kulturor ndërmjet komuniteteve bektashiane në Turqi dhe në Ballkan”, theksoi Atalay. Sipas tij, në të ardhmen, kanë rëndësi nxitja e kërkimeve të përbashkëta dhe ngritja e një rrjeti të qëndrueshëm komunikimi ndërmjet vendeve.
Shejh Hormova: “Nëse feja bëhet shtet, ajo humb cilësinë e saj si fe”
Udhëheqësi i Tarikatit Halveti në Shqipëri, Shejh Hysen Ali Hormova, në fjalimin e tij në Forum trajtoi rolin historik të bektashizmit në Shqipëri dhe njëkohësisht kritikoi ashpër projektin e shtetit bektashian që është në rendin e ditës.
Duke vënë në dukje rëndësinë e titullit të forumit, “Mbi të djeshmen dhe të sotmen e Bektashizmit në Ballkan”, Hormova tha se në rrugëtimin nga Haxhi Bektash Veliu deri te Dede Reshat Bardhi, i cili në kohët e fundit drejtoi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, bektashizmi ka luajtur një rol të rëndësishëm në bartjen e vlerave të Islamit. Ai gjithashtu tha se se teqet bektashiane, veçanërisht gjatë periudhës osmane dhe më pas gjatë mbretërimit të Zogut, nuk ishin vetëm qendra fetare, por shërbenin edhe si qendra ku zhvillohej veprimtari arsimore dhe edukative.
“Teqet u bënë qendra arsimi dhe kulture”
Duke tërhequr vëmendjen te vendi i teqeve bektashiane në historinë e arsimit në Shqipëri, Hormova tha se disa teqe me kalimin e kohës u shndërruan në shkolla. Si shembull ai përmendi Teqenë e Koshtanit në Tepelenë, ku në vitin 1909 u hap një shkollë me mësim në gjuhën shqipe.
Shejh Hormova theksoi se përmes traditës bektashiane, përveç përhapjes së dijes dhe të kulturës, u dha kontribut edhe në krijimin e marrëdhënieve harmonike mbrenda shoqërisë. Duke folur për gjurmët kulturore që bektashinjtë kanë lënë në qytetërimin ballkanik, ai i renditi poezinë, pikturën dhe arkitekturën ndër elementet themelore të qytetërimit dhe argumentoi se në këto fusha bektashinjtë kanë lënë gjurmë më të dukshme se shumë tarikate të tjera.
“Bektashizmi nuk është fe më vete”
Pas vlerësimeve historike, Hormova ndau mendimet e tij për projektin e shtetit bektashian që është hedhur sot në diskutim. “Nëse feja bëhet shtet, ajo humbet cilësinë e saj si fe,” tha Hormova. Sipas tij, një strukturim i tillë mund të dëmtojë ekuilibrat ekzistues mbrenda Shqipërisë dhe mund të sjellë me vete debate mbi barazinë ndërmjet komuniteteve mbrenda Islamit dhe grupeve të tjera fetare në vend. Shejh Hormova pohoi se një model i tillë mund t’u hapë rrugë edhe tarikateve të tjera apo komuniteteve të ndryshme për të paraqitur kërkesa të ngjashme. Ai kundërshtoi gjithashtu paraqitjen e bektashizmit si një fe më vete. Sipas tij fakti që bektashinjtë mund të organizohen si komunitet fetar më vete nuk do të thotë se ata përbëjnë një fe të ndarë nga Islami. Ai e vlerësoi bektashizmin si pjesë të traditës së tarikateve alevie brenda Islamit.
Prof. Dr. Süleyman Baki: “Nuk duhet luajtur me fatin e një rajoni”
Shefi i Departamentit të Orientalizmit në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Süleyman Baki, vlerësoi në fjalimin e tij si projektin e shtetit bektashian, ashtu edhe trashëgiminë historike dhe kulturore të tarikateve në Ballkan. Profesor Baki, deklaroi se nuk mendon që shteti bektashian, krijimi i të cilit është propozuar në Shqipëri, do t’u sjellë dobi komuniteteve myslimane të rajonit dhe Turqisë. Ai kujtoi se ide të ngjashme ishin hedhur edhe në të kaluarën.Sipas tij në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane ishte shprehur dhe diskutuar mendimi për krijimin e një shteti bektashian në Shqipëri, por më vonë kjo ide u braktis. Duke theksuar se përvojat e së kaluarës duhet të merren parasysh në debatet e sotme, Baki u shpreh: “Historia është përvojë. Duhet të përfitojmë nga kjo përvojë. Duhet t’i kushtojmë vëmendje kësaj. Jam i mendimit se nuk duhet luajtur me fatin e një rajoni”, tha profesori universitar, Süleyman Baki.
Shembull: Teqeja e Harabati Babës
Prof. Dr. Süleyman Baki, theksoi se gjurmë të tarikateve, e veçanërisht të bektashizmit, gjenden në shumë rajone që gjatë periudhës osmane ishin pjesë e së njëjtës hapësirë historike, në radhë të parë në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Sanxhak dhe Greqi.Duke sjellur një shembull konkret nga Maqedonia e Veriut, Baki tha se Teqeja e Harabati Babës në Tetovë, e njohur edhe si Teqeja e Sersem Ali Dedes, ruan ende sot rëndësinë e saj si vlerë dhe qendër kulturore. Ai theksoi se objekte të tilla duhet të vlerësohen jo vetëm si pjesë e historisë së një grupi fetar, por si elemente të trashëgimisë së përbashkët kulturore dhe historike të Ballkanit.
Ali Rıza Özkan: “Mund të çojë në përçarjen e shoqërisë alevie”
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Shoqatave “Horasan Erenleri” nga Turqia, Ali Rıza Özkan, foli gjithashtu në forum për rrënjët historike të alevizmit dhe të bektashizmit, si dhe për debatet rreth shtetit bektashian. Duke paraqitur qasjen e shoqërisë alevi-bektashiane në Turqi ndaj kësaj çështjeje, Özkan e përkufizoi alevizmin dhe bektashizmin si një rrymë fetare të zhvilluar mbrenda Islamit. “Siç e dini, alevizmi, kjo rrymë fetare brenda Islamit që ne e quajmë bektashizëm, u formësua dhe u shfaq në Anadoll afërsisht në shekullin XIII,” u shpreh Özkan.Duke theksuar se tradita alevi-bektashiane, pas formimit të saj në Anadoll, u përhap në hapësira të ndryshme gjeografike, Özkan deklaroi se ky sfond historik duhet mbajtur parasysh gjatë vlerësimit të debateve të sotme.
“Një shtet nuk mund të ketë kuptim tjetër përveç atij simbolik”
Duke e vlerësuar projektin e shtetit bektashian, të hedhur në diskutim në Shqipëri, nga pikëpamja e unitetit të shoqërisë alevie, Özkan argumentoi se struktura e planifikuar nuk do të mund të përbënte një fuqi të vërtetë politike apo ushtarake.
“Një shtet i tillë nuk mund të ketë kuptim tjetër përveç atij simbolik. E them këtë në kuptimin e një fuqie të vërtetë politike, të një fuqie ushtarake, edhe në arenën ndërkombëtare,” tha Özkan. Nga ana tjetër, ai shtoi se një strukturim i tillë mund të ketë pasoja për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve alevi-bektashiane. Duke argumentuar se projekti mund ta vështirësojë bashkimin e shoqërisë alevie nën një strukturë të përbashkët, Özkan u shpreh: “Një gjë e tillë shërben për përçarjen e shoqërisë alevie, për copëzimin e saj dhe për pengimin e unitetit të saj.”
U diskutuan e ardhmja e bektashizmit dhe bashkëpunimi në Ballkan
Në vlerësimet e bëra në Forum doli në pah mendimi se bektashizmi nuk duhet trajtuar vetëm si trashëgimi historike, por duhet vlerësuar në mënyrë gjithëpërfshirëse edhe pozita e tij e sotme shoqërore dhe kulturore në Ballkan. Në fjalime u theksuan studimi më i hollësishëm akademik i zhvillimit historik të bektashizmit nga Anadolli në Ballkan, ruajtja e teqeve dhe e objekteve të tjera historike, përcjellja e kulturës bektashiane te brezat e rinj dhe forcimi i kanaleve të komunikimit ndërmjet komuniteteve të rajonit. Forumi, i cili bashkoi personalitete që punojnë në fusha të ndryshme nga Turqia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, u bë njëkohësisht një platformë ku projekti i shtetit bektashian, i hedhur në Shqipëri, u diskutua në shkallë rajonale.Pjesëmarrësit u shprehën se vendi i bektashizmit në historinë fetare, shoqërore dhe kulturore të Ballkanit duhet vlerësuar përtej debateve aktuale politike. Në Forumin “Mbi të djeshmen dhe të sotmen e Bektashizmit në Ballkan”, morën pjesë gjithsej 19 personalitete nga Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
MARKETING
<!–



