Një 25 vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit ditën e sotme, pasi ka bashkëpunuar me Esmerald Ballën për vrasjen e babait të këtij të fundit, Enver Ballën, 62 vjeç.
Në pranga ka rënë i riu i identifikuar si Edison Brahaj, 25 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës.
Uniformat blu sqarojnë se Brahaj ka ndihmuar Esmerald Ballën me transportin e trupit të pajetë të Enver Ballës, për ta hedhur më pas në pus.
Përgjatë kontrollit të banesës së 25 vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan shuma prej 145 mijë lekësh.
Edison Brahaj akuzohet për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Sakaq, hetimet në lidhje me zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje vijojnë ende intensivisht.
NJOFTIM
Durrës
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 62-vjeçarit.
Vihet në pranga shtetasi që ndihmoi autorin e vrasjes së babait të tij, në fshatin Shënavlash, për të transportuar trupin e pajetë duke e hedhur në një pus.
Në vijim të veprimeve hetimore të pandërprera, lidhur me ngjarjen e ndodhur në fshatin Shënavlash, ku djali vrau me armë zjarri babain e tij dhe e deklaroi të larguar nga banesa, duke pretenduar se kishte humbur kontaktet me të, veprimet janë intensifikuar dhe si rezultat është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i bashkëpuntorit të tij, shtetasit EDISON BRAHAJ, 25 vjeç, banues në Sektor Rinia, Durrës.
Ky shtetas, i cili kishte lidhje shoqërore me autorin E. B., dyshohet se ka bashkëpunuar me të në transportimin me automjet të trupit të viktimës nga vendi i ngjarjes deri te vendi ku u gjet nga policia.
Gjatë kontrollit në banesën e E. B., u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh.
Për sa më sipër, ky shtetas u arrestua për veprat penale “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
VIJON…