25 March 2018 / 15:20
Shefi i diplomacisë greke Kocijas ka njoftuar kryeministrin Aleksis Cipras për vizitën e tij në Shkup dhe takimet me krerët e shtetit. Mediat greke njoftojnë se Kocijas i ka thënë Ciprasit se ka përparime të theksuara dhe klimë të mirë në Shkup për tejkalimin e kontestit, por se dallimet mes palëve mbeten ndryshimet kushtetuese. Në këtë situatë, eurodeputetja kroate Petir thotë se do të ketë destabilizim nëse vazhdon presioni ndaj Maqedonisë. Ajo kritikon qasjen e Greqisë ndaj kërkesave për ndryshime kushtetuese. Sipas Petir, edhe sikur Maqedonia do të pranonte të ndryshojë Kushtetutën, Greqia do të kërkonte edhe më tepër.
Nëse vazhdojnë presionet ndaj Maqedonisë, do ketë destabilizim të rajonit. Mendoj se Maqedonia asnjëherë nuk duhej që të ishte sjellë në këtë pozitë dhe këtu një pjesë të përgjegjësisë e ka edhe BE-ja pasi në çështjen e Maqedonisë tregoi standarde të dyfishta dhe e lejoi Greqinë që ta shfrytëzojë dhe keqpërdor Maqedoninë – tha Marijana Petir, eurodeputete.
Por përkundër dallimeve mes palëve, zyrtarët në vend shprehen optimistë për zgjidhjen e kontestit. Sipas analistëve, optimizmi bëhet për të mbajtur në shpresë qytetarët për një zgjidhje të shpejtë. Profesori universitar Abdulla Azizi thotë se është vështirë arritja e kompromisit në këtë kohë duke pasur parasysh dallimet që kanë dyja palët.
Kam frikë se ky vullnet i madh që iu dha qytetarëve do të dështojë në fund. Por pa marrë parasysh këtu shihet një jokorrektësi ndaj shqiptarëve e cila nuk është përfshirë aq sa duhet nga vetë fakti se maqedonasit e konsiderojnë këtë gjë si të veten dhe se shqiptarët nuk duhet që shumë të përzihen në këtë gjë. Mungon një dedline i cili duhet të jepet nga ne shqiptarët, nga ana e partive politike të cilat duhet të thonë një datë, një vit, një muaj ku do të përfundon kjo çështje dhe le ta zgjedhin maqedonasit vetë këtë çështje, është duke humbur durimi i shqiptarëve ndaj kësaj çështje sepse perspektiva euro atlantike e tyre po bllokohet nga ana e maqedonasve – deklaroi profesori Abdulla Azizi.
Qytetarët nga ana tjetër po kundërshtojnë bisedimet për zgjidhjen e emrit. Protesta u zhvilluan në Strugë Ohër.
Unë kam dal që ta mbrojë atdheun, të mos na e marrin grekët. Fëmijët tanë duan të jetojnë siç kanë jetuar gjyshi im, gjyshja, stërgjyshi, nëna, babai. Ata kanë luftuar për këtë copë tokë. Përse ne tani t’iu nënshtrohemi grekëve – u shpreh një qytetar.
Bisedimet e reja mes palëve të ndërmjetësuara nga Nimic do të mbahen më 30 mars në Vjenë. Palët pritet të diskutojnë rreth propozimeve të dyja palëve por edhe të ndërmjetësit të OKB-së Methju Nimic.


