12 Dhjetor
Çështja e emrit mund të zgjidhet vitin e ardhshëm, tha ndërmjetësi Metju Nimic pas takimit në Bruksel me negociatorin e Maqedonisë, Vasko Naumovski dhe atë të Greqisë, Ademantios Vasilakis. Takimi pas pauzës tre-vjeçare, Nimic vlerësoi se në të dyja vendet klima është përmirësuar dhe se palët dialogojnë në mënyrë konstruktive. Nimic njëherit paralajmëroi se do të ketë negociata gjatë 3 muajve të ardhshëm, pasi kontesti shumëvjeçar mund dhe duhet të zgjidhet.
Mendoj se të dy palët duhet të jenë të kënaqura që do të arrijnë një zgjidhje konstruktive dhe mendoj se kjo gjë do të ndodhë. Përndryshe nuk do të ketë marrëveshje. Pas shumë vitesh, nuk mund të shfaqet ndonjë emër i ri magjik. Kjo çështje është diskutuar sërish e sërish. Ka shumë opsione. Ajo që duhet bërë është të rimendohen pozicionet dhe të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme. Nuk do të zgjidhet me magji, por me vullnet politik dhe diplomaci të mirë – u shpreh Metju Nimic, ndërmjetës i OKB-së për çështjen e emrit.
Nimic gjithsesi nuk konfirmoi nëse në takim është biseduar për ndonjë propozim konkret. Ndërsa kryeministri, Zoran Zaev hodhi poshtë mundësinë që në takim të jetë biseduar për propozimin “Maqedonia e Re”, duke thënë se akoma është herët për një gjë të tillë.
Me të vërtetë ky është propozim i mediave. Ne nuk kemi arritur deri aty sa të bisedojmë për ndonjë emër të ri ose ngjashëm. Ajo që besoj se do të bisedohet këto ditë është konfirmimi i dëshirës së dy palëve që në mënyrë thelbësore të hyjmë në zgjidhjen e problemit që Greqia e ka me emrin tonë kushtetues – tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Media e parë që njoftoi se në takim do të bisedohet për propozimin “Maqedonia e Re” ishte televizioni grek “Star”, sipas të cilit nëse Shkupi dakordohet me këtë propozim, do të hapet rruga për zgjidhjen e çështjes së emrit në gjysmën e parë të vitit 2018, siç paralajmëruan edhe kryeministri Aleksis Cipras dhe shefi i diplomacisë, Nikos Koxias.
Anesa Aliti

