Edicioni XXI i Festivalit Ndërkombëtar te Poezisë “Ditët e Naimit”, sjell në Tetovë poet nga mbarë bota. Poeti amerikan George Wallace që është laureat i sivjetshëm i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është bursist-shkrimtar që banon përkohësisht në shtëpinë e lindjes së Walt Whitman-it. Ai është autor i shumë librave dhe shquhet për origjinalitet poetik, me të cilin ka joshë admiruesit e poezisë dhe fjalës së bukur artistike. Poezia e tij iu ngjan engjëjve të natës që shtegtojnë në një errësirë të pahijshme që e shoqëron jetën bashkëkohore: të topitjes intelektuale, shpirtërore e kulturore. Në “mjegullën e qytetërimeve dhe shiut idiot”, poezia e kërkon rrugën e saj, nëpërmjet imazheve dhe muzikalitetit të shpirtit, si krijesë shpirti, që në ontologjinë e vet ka bukuri, estetikë, tingull e muzikalitet, inteligjencë e humanizëm, për ta mbushë botën me më shumë bukuri, dashuri dhe humanizëm. Shkrimtari George Wallace, me imazhet dhe depërtimet e thella poetike, përçon një botë të pasur e të dëlirë të idalitetit estetik, që grish njeriun të mbetet njeri, edhe në kohën e qytetërimit të mjegullës dhe të shiut idiot. Për më tepër, ai grish lexuesin për shpresë, ashtu siç bënë e gjithë poezia e mirë. Poezi e tij flet me gjuhën e kohës dhe është sinjalizim i dritës që shpërndan ajo me fuqinë e tejkohshme dhe të pamatshme të gjuhës. A është e mundur që mjegulla e këtij qytetërimi dhe shiu idiot të qartësohet me poezi? Me këtë sfidë dhe dilemë na përballë poezia e laureatit të sivjetshëm, që vjen në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” nëpërmjet një estetike të kondensuar, ku mjegulla dhe shiu idiot janë të pavrejtshme, sepse prapa rri qytetërimi i poezisë së shpirtit dhe flakadani i saj rrezatues, të cilin nuk mund ta pengojë asnjë fuqi. Po, poeti George Wallace na grish, me shpresë se mjegulla e këtij qytetërimi dhe shiu idiot, janë sajesa të përkohshme, që venitin njeriun me kotësi dhe rutinë, por të pafuqishme përballë artit të bukur, poezisë, që është krijesë plot gjallëri dhe e destinuar për përjetësi. Duke i njohur dhe vlerësuar meritat e tij në zhvillimin e poezisë bashkëkohore nëpërmjet një forme avangarde të kompozicionit poetik dhe strategjisë shkrimore, juria e sivjetshme e Festivalit ka vendosë që sivjet atë ta laureoj me Çmimin Ndërkombëtar të Festivalit të Poezisë “Ditët e Naimit” poetin e shquar amerikan, George Wallace. Ndue Ukaj, kryetar i Jurisë Craig Czury, anëtar Xhelal Zeneli, anëtar, thotë kryetari i Jurisë, Ndue Ukaj.
DEKLARATË E LAUREATIT XHORXH UALLAS
Me një parandjenjë emocionuese dhe përulësie, e pranova nderin që më keni bërë duke më caktuar mua fitues të Çmimit Poetik Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” 2017. Me të vërtetë një nder i madh, të shkosh në gjurmët e poetëve të tillë të shquar si Ismail Kadare, Desmond Egan, Ewa Lipska, Athanase Vangchev de Thracy dhe të kolegut poetit amerikan Craig Czury, të cilët e kanë marrë më parë këtë çmim. Dhe një koinçidencë e veçantë që si shkrimtar në rezidencë në vendlindjen e Uollt Uitman në Nju Jork, më është dhënë kjo mundësi për të ndërtuar një urë mes këtij poeti të madh kombëtar amerikan dhe ikonës tuaj, poetit Naim Frashëri.
Për mendimin tim, lidhja ndërmjet Uitman dhe Frashërit është e thellë. Të dy këta figura letrare monumentale të shekullit XIX kanë luftuar përmes gjuhës poetike për të promovuar bashkimin ndërmjet njerëzve dhe ndjenjën e humanizmit duke respektuar ndërkohë diferencat e thella të religjionit, zakoneve dhe dialektikës brenda kombeve të tyre respektive. Kjo shpallje e një patosi humanist të fortë dhe mbizotërues i ka shërbyer procesit të shtet-ndërtimit dhe ka ndihmuar për të kapërcyer ndarjet e thella social-kulturore gjatë gjithë jetës së tyre.
Për më tepër, arritjet e tyre shërbejnë si model për ne në kohën e sotme.
Besoj se ndaj me organizatorët e festivalit “Ditët e Naimit” bindjen se poezia i ka kapacitetet për të bashkuar njerëzit e kulturave të ndryshme, duke iu ofruar atyre një “kod gjuhe” të qartë përmes të cilit afirmohet identiteti i tyre social dhe kulturor dhe krijojnë lidhje me njëri-tjetrin me respekt dhe vlerësim. Veçanërisht në këto kohë me sfida sociale dhe politike, kjo vlerë është e një rëndësie vitale ndërkombëtare.
Në emër të ndërtimit të urave ndërmjet njerëzve dhe nxitjes së shkëmbimeve ndërkulturore, bazuar në respektin reciprok, pres me padurim të mblidhemi në këtë tubim të këtij viti të poetëve të shquar për të organizuar një festival të “ Ditëve e Naimit” të gjallë dhe të paharrueshëm, thotë laureati George Wallace.

