Presidenti Hashim Thaçi është takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi dhe kreun e AKI-së, Shpend Maxhuni, lidhur me rezultatet e hetimeve rreth helmimit të 11 punëtorëve të KQZ’së gjatë ditës së djeshme. Nga ky takim është bërë e ditur se në ekzaminimin e mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve do të përfshihen edhe ekspertët ndërkombëtarë, raporton Express.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Zyra e Presidentit ka njoftuar se Thaçi ka kërkuar nga institucionet shtetërore relevante që rasti të hetohet deri në fund.
“Kërkoj nga institucionet shtetërore që me profesionalizëm të hetohet tërë rasti dhe të ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm për të zbardhur dyshimet për helmim të personelit të KQZ-së”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ndërkohë, përfaqësuesit e institucioneve shtetërore njoftuan se pritet të përfundohet ekzaminimi i mostrave të zarfeve të marra në Shërbimin e Votuesve. Ekzaminimet, sipas tyre, do të bëhen së bashku me ekspertë ndërkombëtarë.
Për gjendjen e të helmuarve kanë dhënë detaje nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës.
“Ne jemi duke e mbikëqyrur gjendjen shëndetësore të këtyre pacienteve. Gjendja shëndetësore e të gjithave është stabile”, ka deklaruar Ajazaj-Berisha për Express.
Ajo tha se edhe dy gratë të cilat kanë qenë shtatzëna, gjendjen e kanë stabile. Tutje, mjekët janë duke i pritur rezultatet e analizave të cilat i janë marrë këtyre pacienteve gjatë ditës së djeshme.
“Po i presim rezultatet. Jemi duke i përfunduar të gjitha ekzaminimet e nevojshme”, ka sqaruar doktoresha e infektivës.
Ai tha se janë duke i vazhduar hetimet.
“Po rasti tashmë është tek ne. Ne për këtë çështje jemi duke i vazhduar hetimet”, thotë shkurt Munishi./Gazeta Express




