Dy ish-zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore janë shpallur fajtorë për shpërdorim detyre, pasi akuzohen se kanë rekrutuar si agjent të AMP-së Muçi Shaljanin, alias “Sheqeri”, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në rrethrrotullimin e aeroportit të Rinasit, së bashku me Gilmando Danin, person me precedent penal për gjobëvënie dhe pjesë e një grupi kriminal.
Gjykata e Tiranës dënoi me 9 muaj burgim Artjol Saliasin dhe Gëzim Salën për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi për secilin prej tyre u reduktua në 6 muaj burgim.
Megjithatë, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit, duke i vendosur dy ish-zyrtarët në periudhë prove njëvjeçare. Gjatë kësaj kohe ata nuk duhet të kryejnë vepër tjetër penale dhe as të kenë kontakte me persona me precedentë kriminalë. Për rrjedhojë, Saliasi dhe Sala nuk do të vuajnë dënim në qeli.
Sipas hetimeve, dy ish-zyrtarët e AMP-së kanë rekrutuar në kundërshtim me ligjin Muçi Shaljanin si agjent të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Shaljani kishte udhëtuar drejt Spanjës së bashku me Gilmando Danin, i cili njihej si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Pas kthimit në Shqipëri, automjeti me të cilin ata po udhëtonin u qëllua me breshëri kallashnikovi në zonën e Rinasit.
Si pasojë e atentatit, Gilmando Dani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Muçi Shaljani mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë disa ditë më vonë në Spitalin e Traumës.
Hetimi për atentatin mafioz vijon nga SPAK, pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencën pas disa muajsh hetime, duke arritur në përfundimin se ngjarja dyshohet se është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.



