Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se nuk ka ndërmend të zgjasë armëpushimin me Iranin.
Në një intervistë për gazetarin Jonathan Karl të ABC News, Trump u shfaq optimist për ditët në vijim, duke paralajmëruar ngjarje me ndikim të madh në situatën në Lindjen e Mesme.
“Besoj se do të shihni dy ditë të mrekullueshme që po vijnë. Me të vërtetë e besoj këtë,” u shpreh ai, duke sugjeruar se priten zhvillime që mund të ndikojnë ndjeshëm rrjedhën e konfliktit në rajon.
I pyetur nëse lufta mund të përfundojë përmes një marrëveshjeje apo përmes neutralizimit të kapaciteteve të kundërshtarit, presidenti amerikan theksoi se të dyja opsionet mbeten të hapura. Megjithatë, ai nënvizoi se një marrëveshje do të ishte skenari më i preferuar, pasi do të krijonte mundësi për rindërtim.
“Mund të përfundojë në çdo mënyrë, por mendoj se një marrëveshje është më e mirë, sepse më pas do të mund të rindërtojnë. Realisht kemi një regjim të ndryshëm tashmë. Në çdo rast, ne i kemi neutralizuar radikalët. Ata nuk janë më këtu,” deklaroi Trump.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi rolin e tij në ruajtjen e stabilitetit ndërkombëtar.
“Nëse nuk do të isha president, bota do të ishte shkatërruar,” u shpreh ai.


