31 October
Gjykata Penale akoma nuk ka kompletuar dokumentacionin e kërkuar nga ministria e Drejtësisë për ekstradimin e dy agjentëve Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski. Edhe pse afatet deri kur duhet drejtuar kërkesat për ekstradime po rrjedhin, autoritetet vendore duket se nuk shpejtojnë me ekstradimin, pasi dy të akuzuarve të speciales tashmë i është caktuar paraburgimi deri më datë 1 dhjetor kur edhe do të dalin para gjykatësit hetues në Selanik. Nga Gjykata Penale njoftuan shkurt se dokumentacioni po komplotohet.
Ministria e Drejtësisë do të ketë duart e lidhura deri në sigurimin e dokumenteve të nevojshme për ekstradim. Nisur nga fakti që dyja vendet nuk kanë marrëveshje ekstradimi, dikasteri i Drejtësisë ekstradimin e Grujevskit dhe Boshkovskit do ta bazojë në Ligjin për bashkëpunim ndërkombëtar dhe Konventën ndërkombëtare për ekstradim.
Dokumentet e nevojshme për ekstradim
Të dhëna që vërtetojnë identitetin (shkresat, fotografitë, vijat papilare etj.)
Vërtetim apo dokumente tjera për shtetësi.
Aktakuzën, vendimin gjyqësore apo vendimin për paraburgim me të dhëna të personit për të cilin kërkohet ekstradimi.
Shkresa për veprën, kundërshtimet ligjore dhe provat bashkë me dyshimet e bazuara për veprën.
Shkresa në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë dhe nenet me të cilët bie ndesh vepra e personit për të cilin kërkohet ekstradimi
Pas sigurimit të dokumenteve, dikasteri i Drejtësisë duhet të kërkojë ekstradimin. Formulimi i kërkesës duhet të mbyllet brenda 40 ditëve. Ndërkohë Grujevski dhe Boshkovski mbesin në paraburgim ekstradues. Ata dy herë u nxorën para Gjykatës në Selanik për shkak të posedimit të dokumenteve të rrejshme të udhëtimit, por gjykimi u anulua për më 1 dhjetor për shkak të mungesës së përkthyesit nga gjuha greke në atë maqedonase. Grujevski dhe Boshkovski janë të akuzuar nga Prokuroria Speciale Publike për përgjim të paligjshëm dhe për shkatërrim të sistemeve për përgjim, raste të njohura si “Fortesa”, “Target” dhe “Fortesa2”. Të dy ishin arrestuar nga policia greke në aeroportin në Selanik më 18 tetor, gjatë tentimit me pasaporta të rrejshme bullgare të fluturojnë për në Budapest.
Adrian Kerimi

