Dje në mëngjes, pasi drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Tetovë (QPS Tetovë), Magdalena Veselinovska, u kishte dhënë urdhër punonjësve të Qendrës që të kryenin kontrolle në terren dhe të verifikonin përfituesit e pensioneve sociale, përkatësisht mënyrën se si u ndahen pensionet sociale qytetarëve në këtë qytet, dikush ua ka prerë gomat automjeteve zyrtare me të cilat punonjësit udhëtojnë nga një adresë në tjetrën për të kryer këto kontrolle, mëson “Sloboden Peçat” nga burime të mirëinformuara, transmeton Portalb.mk.
Kur u kërkuan pamjet nga kamerat e sigurisë, nuk kishte energji elektrike, kështu që nuk mund të shihej se kush i kishte dëmtuar automjetet. Nga SPB Tetovë konfirmuan se është raportuar një rast i dëmtimit të automjetit, ndërsa ngjarja është raportuar në orën 8:15 të mëngjesit.
Më herët, kryeministri Hristijan Mickoski tha se janë zbuluar më shumë se 4.500 përfitues të ndihmës minimale të garantuar dhe të sigurimit social, të cilët i kishin marrë paratë pa i plotësuar kushtet, ndërsa në mesin e tyre kishte persona të vdekur, qytetarë të shpërngulur jashtë vendit dhe përfitues fiktivë.
“Deri në këtë moment kemi më shumë se 4.500, pra jo 45, jo 450, por 4.500 përfitues të rremë të ndihmës minimale të garantuar dhe sigurimit social”, tha Mickoski.
Ministri i Politikës Sociale, Gjoko Velkovski, pardje njoftoi se po kryhen kontrolle të përfituesve të ndihmës minimale të garantuar dhe të sigurimit social për personat e moshuar. Ai theksoi se deri tani u janë ndërprerë pagesat e këtyre të drejtave më shumë se 3.000 përfituesve, për shkak të abuzimeve të konstatuara, ndërsa aksioni po hyn në fazën përfundimtare.
Kujtojmë se më 24 prill të vitit të kaluar, Prokuroria njoftoi se u shtypën dy grupe kriminale që kanë keqpërdorur procedurën për përfitimin e të drejtës për përkujdesje nga të tjerët dhe të drejtën e pensioneve invalidore, ndaj 49 personave u ngritën kallëzime penale, 23 u privuan nga liria, ndërsa një person ishte në kërkim. Me datë 23.04.2025, MPB-ja në koordinim me prokurorin publik kompetent pranë PTHP NKOK, ka kryer aksion policor, gjatë të cilit janë kryer bastisje në disa lokacione në rajonet e Shkupit, Velesit, Tetovës dhe Gostivarit, ndërsa 23 persona janë privuar nga liria, përderisa një person nuk ishte në dispozicion të organeve hetuese. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar 110.000 euro, 65.000 denarë dhe 100 dollarë, disa telefona celularë, fletore me të dhënat e debitorëve, si dhe dokumentacion të ndryshëm mjekësor dhe disa vula faksimile.
Në korrik nga ana tjetër, Prokuroria për Krimin e Organizuar ngriti aktakuzë ndaj 36 personave për përfshirje në dy grupe kriminale që kanë ndërmjetësuar në mënyrë të paligjshme përfitimin e të drejtave për kujdes dhe pension invaliditeti, kundrejt shumave nga 150 deri në 5,000 euro. Të përfshirë janë mjekë, një avokat dhe zyrtarë publikë, që kanë abuzuar me pozitat e tyre. Deri tani, 13 të pandehur kanë pranuar fajësinë dhe janë dënuar me burg ose masa alternative. Prokuroria kërkon zgjatjen e masave të sigurisë për disa nga të akuzuarit.



