Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nisur procedurë ndaj një prokurori publik të lartë në Prokurorinë e Lartë Publike në Manastir, për shkak të ekzistimit të dyshimeve të bazuara se ka kryer veprën penale “Marrja e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” nga neni 359, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 2 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Gjatë periudhës së kaluar, përmes disa veprimeve dhe zbatimit të masave të posaçme hetimore, janë siguruar prova që tregojnë për dyshim të bazuar se ai e ka shfrytëzuar ndikimin e tij real dhe pozitën zyrtare që ka ushtruar për të ndikuar në mënyrë të palejueshme në vendimmarrjen e kolegëve prokurorë publikë dhe gjyqtarëve në të paktën katër raste të veçanta, në territorin ku ka ushtruar funksionin e tij.
Me këtë rast, ai ka ndërhyrë për dënime më të ulëta ose për të siguruar pozitë më të favorshme për persona të dyshuar ose të akuzuar në procedura penale.
Gjatë ditës së djeshme, në bazë të urdhrit gjyqësor, janë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit dhe në ambientet e Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir, me qëllim sigurimin e provave shtesë.
Prokurori publik kompetent po vazhdon të hetojë rastin, ndërsa gjyqtarit të procedurës paraprake i ka dorëzuar propozim për caktimin e masave të kujdesit – marrjen e dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të caktuara të punës, përkatësisht largimin e të dyshuarit nga vendi i punës.
Një pjesë e mediave, duke iu referuar burimeve të tyre, jozyrtarisht kanë publikuar se aksioni lidhet me procedurën për kthimin e pasaportës së biznesmenit nga Manastiri, Borçe Markovski.
Në lidhje me rastin, në qershor të këtij viti Prokuroria Themelore Publike e Strugës fillimisht kishte dhënë mendim negativ për kthimin e pasaportës së biznesmenit Borçe Markovski, por pas kërkesës së re të mbrojtjes, lënda ishte përcjellë në Prokurorinë e Lartë Publike në Manastir. Prokurori i lartë publik kishte vlerësuar se me garancinë e përcaktuar më parë, në vlerë prej rreth 5 milionë eurosh, ishte eliminuar rreziku i arratisjes dhe kishte kërkuar që Prokuroria e Strugës të jepte mendim pozitiv, pas së cilës Gjykata Themelore e Strugës më pas ia kishte kthyer pasaportën Markovskit.
Biznesmeni nga Manastiri, Borçe Markovski, dhe tetë persona të tjerë po gjykohen për zhvendosjen e stacioneve operative nga miniera “Osllomej” në minierat e REK “Manastir”, një tender me vlerë mbi 1.7 milionë euro. Përveç Markovskit, në bankën e të akuzuarve janë edhe pesë të punësuar në REK “Manastir” dhe dy të punësuar në kompaninë e Markovskit.
Një nga të akuzuarit është edhe ish-drejtori i REK “Manastir”, Pece Matevski, ndaj të cilit tashmë po zhvillohet proces gjyqësor edhe në Gjykatën Themelore në Manastir për rastin e tenderit me kompaninë e Manastirit “Rudkop” Bitola.
Abuzimet në REK Manastir kanë qenë në fokusin e publikut për vite me radhë.



