Alsat-M 2019-05-13T15:07:06+02:00
Në vilën presidenciale në Vodno, Stevo Pendarovski realizoi ditën e parë të tij në pozitën e Presidentit. Mesazhi i tij i parë në rrjetet sociale është një thirrje për pajtim qytetar.
Është koha që t’i shërojmë plagët e mbetura nga e kaluara jonë e afërt dhe ta fillojmë vërtetë pajtimin qytetar sepse nuk kemi atdhe rezervë të cilin do të mund ta quajmë shtëpi. Në këtë rrugë dua të angazhohem pa rezerva, pa mbajtur llogari për rejtingun politik personal. Të gjithë njerëzit qëllimmirë, politikanë dhe parti të cilat vendosin të shkojnë rrugës së njëjtë, do ta kenë mbështetjen time.”- theksoi Stevo Pendarovski, president
Në orët e para, Pendarovski priti në takim shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar. Ambasadori Zhbogar shpalosi edhe mundësinë për një vizitë të Pendarovskit në Bruksel gjatë javëve të ardhshme për të takuar krerët e BE-së.
Unë i solla letrën me urime nga Presidenti Tusk dhe Junker. Në letër ata shprehin gatishmëri për të punuar nga afër për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut si dhe për Evropën tonë të përbashkët. Ne presim të bashkëpunojmë me presidentin në hapat e ardhshëm gjatë ditëve dhe muajve që do ta dërgojnë Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian.”- tha Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së
Ndërkohë në vend, Pendarovskin e presin detyrime të tjera, realizimi i të cilave kishte ngecur muajt e fundit. Kjo është dekretimi i ligjeve të cilat ishin kthyer nga paraardhësi i tij Gjorge Ivanov. Një pjesë e tyre kanë kaluar edhe leximin e tretë kurse pjesa tjetër janë vendosur në rend dite në seancën e 16 majit. Nuk dihet akoma nëse Kuvendi do të rikujtojë Pendarovskin të dekretojë fillimisht ligjet të cilat tashmë kanë kaluar leximin e tretë ose do të presin rimiratimin e të gjithë ligjeve të cilat kishin ngecur. Ligjvënësi për këtë do të vendosë pas kthimit të kryeparlamentarit Talat Xhaferi nga vizita e tij zyrtare në Vjenë. Duke qenë se pjesa më e madhe e ligjeve janë reformuese, analisti Agim Jonuz thekson rëndësinë e dekretimit të shpejtë të tyre.
Detyrën e parë të cilën e ka Pendarovski është që të mos jetë si Ivanovi, një gur në rrugë në proceset euro-integruese. Besoj se për shkurt kohë ai do të nënshkruajë të gjitha ligjet të cilat kanë qenë për përparimin e proceseve. Si e dyta, mendoj se kemi fat që ai u bë president sepse ai ka qenë njëri ndër promotorët e proceseve eurointegruese dhe në këtë drejtim ai do të japë një kontribut shumë të madh.”- u shpreh Agim Jonuz, analist
Alsat dërgoi pyetje në kabinetin e Presidentit Pendarovski për të pyetur nëse tashmë është formuar ekipi juridik që duhet të shqyrtojë këtë çështje. Nga atje nuk morëm përgjigje.
Ndërkohë, faqja zyrtare e Presidentit të shtetit nuk është përditësuar prej datës 7 maj, pas vizitës së Papa Françeskut në Shkup. Aty akoma qëndron si President Gjorge Ivanov dhe të fundit janë informacionet nga aktivitetet e tij.
Fatlume Dervishi



