Sot Shqipëria feston 112-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran e të pavarur.
28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Ashtu si vitin e kaluar, në Tiranë do të organizohet Parada e shqiptarëve.
“Parada kuqezi” nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”. Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.
Parada Shqiptare për festat e Nëntorit synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.
Pas paradës do të zhvillohet dhe ceremonia e ngritjes së flamurit, e parashikuar në orën 13:40.
Paralelisht me zhvillimet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera si Panairi i Artizanëve, që do të zhvillohet te Pazari i ri, zona e Markatës së Gjelbër.
“Festivali i Artizanatit dhe Qeramikës” do të shfaqë dhe mbështesë diversitetin dhe aftësitë e jashtëzakonshme të artizanëve lokalë në disiplina të ndryshme artizanale. Ky festival synon të krijojë një treg plot jetë ku artistët, zejtarët dhe krijuesit mund të shfaqin punën e tyre, të angazhohen me publikun dhe të nxisin vlerësimin për mallrat e punuar me dorë.
Festivali do të shfaqë një shumëllojshmëri produktesh të punuar me dorë, duke përfshirë qeramikë, bizhuteri, tekstile, punime druri, punime metalike, artikuj lëkure dhe më shumë. Çdo artizan do të ketë një zonë ekspozimi ku vizitorët mund të shikojnë dhe blejnë krijimet e tyre. Tregu do të ofrojë artikuj unikë, të veçantë, duke promovuar idenë e mbështetjes së talenteve vendase mbi produktet e prodhuara në masë.
Në të njëjtën datë, është teatri “Linda” që shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa koncerti “Eloquent Echoes” do të jepet në ambientet e Kishës Katolike në kryeqytet. “Ky projekt synon të paraqesë përpara publikut të kryeqytetit instrumentistë të rinj, si dhe pedagogë në Real Conservatorio Superior de Musica de Madrid, si dhe Korin “Siparantum”, një ndër koret më të mira aktualisht në rajon.
Gazeta Shqiptare uron të gjithë shqiptarët Gëzuar Festën e Pavarësisë!