Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, dëshmoi sot në seancën mbikëqyrëse të Komisionit për Financa dhe Buxhet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me çështjen e aksioneve në „Stopanska Banka SHA Bitola“.
Gjatë seancës, ministrja theksoi se Ministria e Financave nuk mund të marrë përsipër kompetencat e institucioneve të tjera, veçanërisht ato që i takojnë Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV).
Dimitrieska Koçoska iu përgjigj pyetjeve të deputetëve Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja, Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE-ja deputetit të pavarur Mile Cekov, Zeqirija Tairi nga VLEN-i dhe Vesna Bendevska nga ZNAM.
Ministrja paraqiti kronologjinë e ngjarjeve, duke filluar nga dhënia e pëlqimit paraprak nga Banka Popullore, blerja e aksioneve në bursë dhe publikimi i njoftimit në Gazetën Zyrtare, deri te diskutimet në Qeveri për ekzistencën e institucioneve që posedojnë aksione në „Stopanska Banka SHA Bitola“.
Sipas përfundimeve të paraqitura, duhej të shqyrtohej mundësia e pranimit ose refuzimit të ofertës për blerjen e aksioneve, duke pasur parasysh edhe ndalimin e përdorimit të kapitalit shtetëror gjatë periudhës zgjedhore.
Duke folur për kompetencat e Ministrisë së Financave, Dimitrieska Koçoska sqaroi se ky dikaster nuk ka juridiksion mbi procedurat e blerjes dhe shitjes së aksioneve. Sipas saj, kontrolli dhe mbikëqyrja e këtyre procedurave janë në kompetencë të Bankës Popullore.
Ajo ritheksoi se përgjegjësitë institucionale duhet të mbeten të ndara dhe se Ministria e Financave nuk mund të ndërhyjë në kompetencat që u takojnë institucioneve të tjera.
MARKETING
<!–



