Gjykata Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim për katër të miturat e përfshira në rastin e dhunës ndaj një vajze 13-vjeçare në komunën e Gjorçe Petrovit, duke u shqiptuar masën e dërgimit në shtëpi edukative-korrektuese.
Sipas vendimit të gjykatës, të raportuar nga mediat në Shkup, për të miturën e akuzuar të parën është caktuar masa në kohëzgjatje prej një viti, ndërsa për tri të tjerat nga tetë muaj.
Vendimi ende nuk është i formës së prerë. Nga Gjykata Penale kanë bërë të ditur se vendimi është në fazën e hartimit me shkrim dhe ende nuk u është dorëzuar palëve.
Rasti kishte shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, pasi katër të miturat dyshohet se kishin ushtruar dhunë fizike ndaj një vajze 13-vjeçare në dy raste të ndara, ndërsa disa nga të pranishmit kishin filmuar sulmet me telefona mobilë.
Pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale dhe në media tregonin se vajza ishte goditur me grushte e shqelma, ishte tërhequr për flokësh dhe kishte përfunduar me fytyrë të gjakosur. Publikimi i këtyre pamjeve nxiti reagime të forta dhe shqetësim për përmasat e dhunës mes bashkëmoshatarëve.
Prokuroria Themelore Publike në Shkup kishte nisur procedurë ndaj katër të miturave për veprën penale „Dhunë“, në bazë të Ligjit për Drejtësi për Fëmijët.
Ndërkohë, lidhur me të njëjtin rast, policia kishte dorëzuar edhe gjashtë kallëzime penale ndaj prindërve, nën dyshimin për veprën „Neglizhencë dhe keqtrajtim i fëmijës“, për shkak të dyshimeve se kishin neglizhuar detyrimin për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të tyre.
Për këtë pjesë të rastit, deri më tani nuk janë bërë të ditura informacione për një vendim përfundimtar.



