Thuajse dy muaj më parë, Komisioni Evropian (KE) miratoi Draft Kornizën e negociatave, e cila rregullon rrjedhën e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në. Konferenca e parë ndërqeveritare pritet të zhvillohet pasi korniza e bisedimeve të kalojë në disa filtra, në vjeshtë ose dimër. Pastaj, me hapjen e kapitullit të parë, vendi ynë do të fillojë zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE. Metodologjia e re parashikon shpërblim, por edhe ndëshkimin e vendeve kandidate, në varësi të përparimit të tyre. Nëse vendi zbaton mirë dhe në mënyrë të efektshme reformat, atëherë përfitimet do të pasojnë së shpejti, domethënë anëtarësimi në tregjet dhe programet. Nëse vendi ngel mbas, atëherë vendet anëtare do të kenë të drejtën e pezullimit.
Njohësja e çështjeve evropiane nga Tirana, Doriana Metollari vlerëson se opinioni publik i Bashkimi Evropian ka qenë pak i shpërqendruar kohët e fundit, nga kjo temë, pra çelja e bisedimeve mes BE-së, Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut. Por, shton ajo, ky fakt nga disa pikëpamje mund të jetë i favorshëm për finalen e këtyre bisedimeve. “Bisedimet apo me saktë drejtimi i këtyre bisedimeve po bëhet më një lloj ‘piloti automatik’. Duke parë që qeveritë po ndjejnë më pak presionin e partive të tyre populiste, që sot janë, në pjesën më të madhe janë të shpërqendruara. Askush nuk e ka sigurinë, por rrethanat mendoj se janë në favor të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Nuk është një vendim që do të merret menjëherë. Besoj se rruga është e hapur. A do ta ngadalësoje? Po, do ta ngadalësojë, sepse rastet kur procesi mund bllokohet mund të jepen dhe atëherë rruga do të jetë më e vështirë më e lodhshme me pak shpresëdhënëse, për popujt. A është parashikuar kjo? Metodologjia franceze do të zgjasë rrugën, por nga ana tjetër duhet të na japë një progres të vazhdueshëm dhe konstant”, deklaroi për gazetën KOHA, Metollari.
Ajo thekson se problem është se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po afrohen në një periudhe, mjaft dinamike, dhe në horizont mund të shfaqen pengesa që sot për sot mund të jenë të paparashikueshme. “Reformat që BE ka kërkuar nga ana e vendeve që aspirojnë integrimin janë bërë, dhe këto reforma nuk janë me inferiore nga ato të vendeve që kanë brenda Unionit, prandaj problemi i reformave institucioneve është thjesht një ‘perde’ pas të cilës fshihen politikat dhe opinioni i publik i vendeve të BE-së. Të kthehesh nga e para, apo të pretendosh të kthesh procesin nga e para është një ‘tallje’ me të dyja vendet. Nuk besoj se rrezikohet kthimi nga e para, ajo çfarë mund të rrezikojnë të dyja vendet tona është një ‘ngrirje’ e procesit për shkak të atyre rrethanave ndërkombëtare që unë përmenda. Në fakt vë re një lloj dembelizmi, në shtyrjen para të këtij procesi, nga ana e disa vendeve. Por unë mund të them me siguri diçka, si për Shqipërinë ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Në duam të integrohemi për shkak të shumë arsyeve që tashmë janë përmendur. Ky integrim mbështetet fort nga qytetarët e të dyja vendeve, dhe përgjithësisht nuk ka rrymë anti-evropiane”, nënvizon Metollari. Por, shton ajo, nuk kemi pse të shkojmë as në një vend që në fund të fundit nuk na duan. “Le ta shohim në sy. Ne jemi evropiane, dhe në këtë rast është BE ajo që duhet të tregojë se po, mund ti dalë në mbrojtje projektit të saj. Tani popujt tanë janë zgjuar dhe do të dimë të ndërtojmë për të ardhmen e qytetarëve edhe jashtë BE-së. Sigurisht kjo e fundit do të humbasë thuajse totalisht besimin tonë, dhe BE do të ketë përballë një rol më aktiv dhe një prezencë të fortë të vendeve të tjera në Ballkan”, nënvizon ajo.
Në anën tjetër, Selim Ibraimi nga Instituti i Studimeve të Sigurisë dhe Zhvillimit- ISSD-Maqedonia thotë se qeveria e re duhet të përgatitet për të gjitha skenarët që mund të paraqiten, pasi që sipas tij nuk ka rëndësi tani më metodologjia, kjo është zgjedhur në pranverë nga Franca dhe Holanda. “Po dihet sipas dinamikës Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet apo hapë kapitullin e parë këtë vit. Tani shumë gjëra varen nga politika në Bruksel nga shtetet qe vendosin se nga do të shkojnë punët. Maqedonia e Veriut, qeveria e re duhet të përgatitet për të gjitha skenarët që mund të paraqiten. Nuk ka rëndësi tani më metodologjia, kjo është zgjedhur në pranverë nga Franca dhe Holanda. Ajo që duhet të nise të bëjë qeveria e Zaevit bashkë me Ahmetin është që tregojë luftën e vërtetë ndaj korrupsionit dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Bisedimet me BE-në janë në drejtim të duhur, vetëm në rast se ndodhë diçka e madh në BE, atëherë mund të mendojmë për ndonjë fat të zi për Ballkanin dhe Maqedoninë e Veriut”, shprehet në prononcimin e tij për KOHA, Ibraimi.
Ndryshe, procesi i negociatave, në përputhje me metodologjinë e re, do të zhvillohet në tridhjetë kapituj të ndarë në 6 grupime – vlera thelbësore (themelet), tregun e brendshëm, konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, agjendën e gjelbër dhe lidhjen e qëndrueshme, burimet dhe bujqësinë dhe marrëdhëniet e jashtme.




