Kontributi i mërgimtarëve dibranë vazhdon të jetë i madh. Ata, përveç ndihmave materiale që vite me radhë u japin familjarëve dhe familjeve skamnore, janë aktiv edhe në përkrahjen e shumë projekteve që realizohen në nivel lokal. Sipas institucioneve kompetente, por edhe të dhënave që prezantojnë shoqatat, shuma e mjeteve në të holla që hyn në Dibër nga mërgimtarët në forma të ndryshme, arrin në miliona euro dhe dollarë. Ata janë shpëtimtarë të Dibrës dhe dibranëve dhe janë infuzion për mbijetesën e popullatës. Aktualisht 1/3 e familjeve dibrane marrin ndihma sociale, kurse pjesa tjetër mbijeton me rrogat teje të ulëta, me që ekonomia dibrane është teje e brishtë. Por, falë ndihmës së mërgimtarëve që jetojnë dhe punojnë në SHBA dhe shtetet të UE, Dibra vazhdon të frymojë. Pas shumë investimeve që u realizuan me mjete të mërgimtarëve, veçmas atyre nga SHBA – ja , këto ditë u shënua edhe një investim nga një grup mërgimtarësh, të cilët përkrahën projektin e pushtetit vendor. Bëhet fjalë për asfaltimin e disa rrugëve në lagjen “Venec”, lagje e cila i kishte rrugët shumë të dëmtuara. Mërgimtarët dibranë japin një kontribut të madh për Dibrën, thotë kryetari i pushtetit vendor, Ruzhdi Lata.
Ata kanë përkrahë shumë projekte me domethënie të madhe për qytetin, thotë Lata. Ata vetëm këtë verë investuan mjete edhe për asfaltimin e rrugës së qytetit që të çon te xhamia e “Teqes”, pastaj asfaltuan oborrin e shkollës “Penestia”, por dhanë edhe ndihmasa të tjera. Një investim meritor që realizuan mërgimtarët dibranë është edhe sanimi i Qendrës ditore për fëmijë me aftësi të kufizuara. Këtë investim e realizoi Shoqata Atdhetare “Dibra”, me seli në SHBA. Drejtori i Qendrës ndërkomunale për punë sociale në Dibër, Kreshnik Paçuku, na informoi se në Qendrën ditore u bë sanimi i tërësishëm i objektit, duke filluar nga izolimi, ndërrimi i dritareve, por edhe sanimi i mureve. Paçuku shtoi se kryetari i shoqatës në fjalë, Dashnor Miftari, pas vizitës që ia bëri Qendrës në Dibër, menjëherë solli donacione për rinovim dhe tani kjo Qendër u sanua. Me këta fëmijë të kësaj kategorie i kanë të gjitha kushtet për qëndrim ditor, thotë drejtori Paçuku/ v.s (koha)

