Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë nga viti 2013, Kiril Bozhinovski, më tha merre librin “Zoki Poki” dhe lexo. Ngjashëm siç veproi Talat Xhaferi, kur votohej Ligji për pjesëtarët e forcave të sigurisë të përfshirë në konfliktin e vitit 2001. Bëni çka të bëni por rendi i ditës të mos miratohet, tha sot në dëshminë e tij për lëndën “Dhuna në Qendër”, Tomisllav Llazarov i cili ishte koordinator në Grupin e këshilltarëve në vitin 2013 në Komunën Qendër.
Ai para gjykatës tha se në atë periudhë ishte marrë vesh me Bozhinovskin dhe përfaqësues të Shoqatës “Veritas” të mbajnë protesta të qeta para komunës për, sipas tij, pikat kontestuese për shkatërrimin e PDU-së në komunë, gjegjësisht për mbrojtjen e rrënimit të kishës “Shën Konstantini dhe Elena”.
“Në ato takime nuk flitej për dhunë, por vetëm për masivitet në këto protesta. Më 7 qershor të vitit 2013 kur arrita në Këshill pashë persona të cilët nuk kanë lidhje me Komunën Qendër, më thanë se seanca është publike dhe për këtë shkak janë të pranishëm. Në ndërkohë erdhën edhe qytetarë të tjerë të Qendrës, por nga shërbimet nuk ishin lejuar që të marrin pjesë. Kisha udhëzime në drejtim të asaj që ta bindim shumicën që t’i heqin nga rendi i ditës ato pika. Diskutimi të jetë i qëndrueshëm dhe profesional. Krahas koordinimit me këshilltarët, para miratimit të rendit të ditës, kisha koordinim përmes telefonit me Kiril Bozhinovskin dhe Mile Janakieskin. Kërkonin që t’i informoj për rrjedhën e ngjarjeve. Bindjet dhe vërejtjet nuk e di se sa zgjatën, shumica mbeti në qëndrimin që ai rend i ditës të miratohej. Në ndërkohë erdhën protestuesit nga “Veritas”, filloi zhurma dhe nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës. Në orët e mbrëmjes kryetari solli vendim që të ndërpritet seanca pa miratimin e rendit të ditës dhe seanca u anulua për më 10 qershor të vitit 2013″, theksoi Llazarovi.
Pas tri ditëve kur kishte arritur në seancën e caktuar dera ishte e mbyllur, për çka ishte i detyruar që përmes rrethojës të hyjë në Komunë për çka i kishte thënë kryetarit të Këshillit se nuk mund të lejojë që të fillojnë pa qenë të pranishëm të gjithë. Ai u kujtua se seanca kishte vazhduar me vërejtjet e njëjta dhe se me kalimin e kohës ishin rritur tensionet.
“Njerëzit të cilët protestonin u afruan afër sallës së Këshillit të Komunës Qendër. Nuk kishte kushte për punë. Kryetari vetëm jepte pauza që të qetësohej masa dhe të dalë nga salla. Të gjithë ishin në rrezik, përfshirë edhe kryetarin e komunës”, tha Llazarovi.
Në këtë lëndë të akuzuar janë shumë persona, në mesin e të cilëve edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski i cili është në arrati në Hungari, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, si dhe ish këshilltarja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova dhe tetë persona të tjerë.



