Dokumenti i Propozim-Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve shtrembëron gjuhën shqipe. Ky dokument, i cili u publikua dje, përmban me dhjetëra gabime drejtshkrimore, të cilat janë në kundërshtim me standardet drejtshkrimore të shqipes.
Përveç gabimeve teknike, shumë fjalë janë shkruar në gjininë e gabuar, është gabuar numri njëjës dhe shumës, si dhe shumë fjalë të tjera janë shkruar gabimisht. Madje, ka dhe fjali me gabime sintaksore dhe të cilat herë pas here humbin kuptimin. Nuk janë respektuar ë-jat fundore, zanorja “i” është shkruar me shkronjë të madhe edhe në përdorimin e saj në mes të fjalisë, si dhe nuk është respektuar shkronja e madhe kur janë përdorur institucionet në fjali.
Fjala “amandament” është shkruar me shkronjë të madhe, edhe pse sipas rregullave të gjuhës shqipe do të duhet të jetë e kundërta. Po ashtu, me shkronjë të madhe është shkruara edhe fjala “bashkësi”, të cilën e hasim në formën e lakuar si “Bashkësisë”. Në vend “marrëdhëniet e saja”, në këtë dokument është shkruar “marrëdhënies e saja”. Togfjalëshi “gurthemel” është shkruar ndaras. I njëjti gabim është bërë edhe me togfjalëshin “parahetimore”, i cili po ashtu është shkruar ndaras.
Fjalët “Qeveri” dhe “Parlament”, në këtë propozim-ligj në shumë raste janë shkruar me shkronjë të vogël, edhe pse kjo është në kundërshtim me rregullat drejtshkrimore të shqipes.
Gabime të shumta vërehen edhe në gjininë e fjalive, ku është përdorur gjinia e gabuar. Kështu, është përdorur “dokumentet personal” në vend të ”dokumentet personale”, “prokuroritë publikë” në vend të “prokuroritë publike”, “të tij” në vend se “të saj”. Ka dhe fjalë të tilla që u është ndryshuar forma. Në këtë kategori të gabimeve bën pjesë fjala “palë” e cila në një fjali është përdorur si “pale”, si dhe janë bërë dy gabime në fjalën “shndërrim”, e shkruar në formë të gabuar si “shndrimi”.
Po ashtu, tek disa fjalë nuk janë respektuar ë-jat fundore. Ndërsa, ka dhe shumë fjalë të tjera të ciat nuk përputhen me drejtshkrimin e shqipes.
Teuta Buçi
Gabime drejshkrimore ne Ligjin per Gjuhen by tvshenjaofficial

