Ushtruesi i detyrës, kryetar i Gjykatës Penale të Shkupit Stojançe Ribarev ka dhënë dorëheqje nga posti. Informatën e konfirmoi Këshilli Gjyqësor i cili nuk dha shumë detaje lidhur me arsyet e dorëheqjes, por shkurtimisht tha se shkaqet e shkruara në letrën e Stojançe Ribarevit kanë qenë të natyrës personale.
KËSHILLI GJYQËSOR
“Ushtruesi i detyrës, kryetar i Gjykatës Themelore të Shkupit Stojançe Ribarev më 20 tetor të 2017-ës, deri tek Këshilli Gjyqësor dorëzoi njoftim me shkrim se ai është në pushim mjekësor dhe se atë do ta zëvendësojë Diana Gruevska Ilievska. Më 25 tetor të 2017-ës Ribarev Këshillit Gjyqësor i dorëzoi njoftim se jep dorëheqje nga posti i ushtruesit të detyrës”
Këshilli njoftoi se Ribarev ka kërkuar që të vazhdojë të punojë si gjykatës i rregullt në Gjykatën Themelore. Tani sa më shpejtë që është e mundur, Këshilli Gjyqësor duhet të thirrë seancë dhe të vendosë për zëvendësuesin e Ribarevit, në bazë të kompetencave që i ka.
Stojançe Ribarev u emërua ushtrues detyre në Gjykatën Penale pas dorëheqjes së gjykatëses ish ushtrueses së detyrës Tatjana Mihajllova në maj të këtij viti. Meqenëse ende nuk ka patur zgjedhje për emërimin e kryetarit të ri, Ribarev ka mbetur përkohësisht në atë post. Gjatë kryesimit të tij, Ribarev ka bërë risistemim të gjykatësve që shkaktoi ndërrimin e gjykatësve paraprak në 17 lëndë të PSP-së dhe kjo nga gjykatësit e degraduar ose ndërruar, u cilësua si e qëllimshme, për ti hequr nga lëndët e Prokurorisë Speciale.
Gjatë kryesimit të tij ka filluar hetimi për keqpërdorim të sistemit AKMIS për shpërndarjen e procesve gjyqësore , në fakt për kurdisjen e mundshme se cila lëndë cilit gjykatës ti ndahet. Por hetohet edhe aktiviteti i ish kryetarit të Penales Vlladimir Pançevski nëse ka nxjerrë sekrete gjyqësore për lëndët e PSP-së tek persona të jashtëm. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

