Një tregtar ilegal me dru nga Haraçina ka tentuar të shkelë me kamion dy policë që e kanë ndaluar për kontroll. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Kadino të Shkupit. 24 vjeçari që e ka drejtuar kamionin, në momentin që e ka vërejtur policinë e cila po i bënte me shenjën stop për t’u ndalur, ka rritur shpejtësinë dhe fillimisht u ka ikur policëve. Por më pas, patrulla policore e ka kapur në rrugën për Haraçinë. Në momentin që policët kanë dalë prej makine për ta arrestuar 24 vjeçarin, ai ka tentuar t’i shkelë me kamion.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Rreth orës 20:05 minuta G.M është ndaluar në rrugën drejt fshatit Haraçinë, në afërsi të depos së mëparshme, me ç’rast ka tentuar të godasë automjetin e MPB-së si dhe t’i shkelë nëpunësit policor pasi ata kanë dalë nga automjeti”
Por, ngjarja nuk ka përfunduar me kaq. Tregtarit 24 vjeçar i kanë ardhur në ndihmë edhe tre persona të tjerë por policia i ka trembur vetëm me një shkrepje plumbi në ajër.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Në vendin e ngjarjes kanë ardhur edhe tre persona të cilët janë drejtuar drejt nëpunësve policor, me një automjet të tipit “Golf”. Njëri prej policëve ka shkrepur një plumb në ajër nga pistoleta zyrtare për ti frikësuar, kështu që të tre personat kanë ikur menjëherë”
Rasti ka përfunduar me arrestimin e 24 vjeçarit që voziste kamionin, dhe arrestimin edhe të tre personave nga Haraçina që kishin dashur ta shpëtojnë shokun ose familjarin nga policia. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

