Edhe pse diskutimi duhej të fokusohej në dilemat lidhur me kualifikimet dhe vlefshmërinë e dokumenteve të drejtorit të ri të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, seanca e parë e Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë së Zbulimit kaloi me tensione dhe përplasje verbale mes deputetëve të shumicës parlamentare dhe opozitës.
Seanca filloi me propozimin e rendit të ditës nga ana e kryetarit të këtij Komisioni, Skrender Rexhepi, ku si pikë e parë dhe e vetme ishte “Informacion për emërimin e paligjshëm të Bojan Hristovskit drejtor të ASK-së”, të cilën iniciativë e ka parashtruar grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicionit. Ndaj kësaj reaguan deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët vënien në rend dite të kësaj pike e quajtën tendencioze, megjithëse kërkuan plotësim të rendit të ditës edhe me dy pika tjera.
“Pika e parë është vizita dhe mbikëqyrja e Agjencisë së Inteligjencës më 3 dhjetor dhe pika e dytë – vizita dhe mbikëqyrja e Agjencisë së Inteligjencës më 16 dhjetor”, tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki.
Pas kësaj, kryetari i Komisionit, Skënder Rexhepi, tha se nuk do t’i vendos në rend dite këto dy pika sepse ai dhe zëvendësi i tij, Blerim Bexheti, ende nuk kanë certifikatë sigurie.
“Unë jam më i interesuari që këto çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, të trajtohen sa më shpejt në këtë seancë, por për momentin – as unë dhe as zëvendësi im nuk kemi certifikatë sigurie dhe nuk do t’i vendos këto pika në rend dite”, theksoi deputeti Rexhepi. Pas kësaj, vijoi një debat mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Miceski dhe Dragan Kovaçki me kryetarin e Komisionit, Skender Rexhepi.
“Nuk e di se cilën pjesë nuk e kuptojmë. Ju nuk mund të merrni një certifikatë deri në fund të afatit. Mund të kërkojmë ndryshimin e kryetarit të Komisionit. Fakti që ju nuk keni certifikata nuk është problem për Komisionin dhe Parlamentin. Ka ndodhur që një deputet nuk ka marrë një certifikatë gjatë gjithë mandatit të tij. Mblidhni të dy propozimet së bashku për të parë se çfarë kemi kundër”, tha deputeti i VMRO-së, Nikolla Miceski.
Pas kësaj, Rexhepi ka mbyllur seancën, duke njoftuar se do të vazhdojnë me seancën kur të krijohen kushtet për punë. “Jam i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij Komisioni, i cili duhet të diskutojë dhe të vendosë për çështjet më të rëndësishme për sigurinë e shtetit. Unë nuk dua të jem vegël e askujt, prandaj mendoj që derisa të merret një vendim i caktuar, do ta ndërpres këtë seancë dhe do të vazhdojmë kur të krijohen kushtet për të”, tha Rexhepi gjatë mbylljes së kësaj seance. Në seancë thuajse nuk u diskutua asgjë për dyshimet e kundërligjshme gjatë emërimit të drejtorit të ri të ASK-së. E vetmja që foli për këtë temë ishte deputetja e LSDM-së, Sllavjnka Petrovska.
Lidhur me propozimin e kolegëve të saj nga VMRO, ajo tha se nuk kanë kundërshtim që të shkojnë të bëjnë mbikëqyrje në ASK dhe AZ, por që këto pika të jenë pika e dyta dhe e tretë, ndërsa e para të mbetet certifikata e Hristovskit e sjellë nga Bullgaria. Pasi Rexhepi e ndërpreu seancën, Petrovska nga pres-qendra e Parlamentit komentoi se qëllimi i VMRO-së për të mos mbajtur seancë ishte i dukshëm. Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur procedurë për certifikatën TOEFL të drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, pas dyshimeve publike për vlefshmërinë e dokumentit që vërteton njohuritë e gjuhës angleze, e të cilën Hristovski pretendon se e ka fituar në shkollën “Julia KO” në Plovdiv të Bullgarisë.