Qytetarët denoncojnë situatën problematike në aksin e rrugës dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, ku prej muajsh po zhvillohen punime për ndërtimin e një mbikalimi.
Sipas denoncimit, trotuari i destinuar për këmbësorët është asfaltuar dhe po përdoret si korsi qarkullimi për automjetet, duke i detyruar qytetarët të lëvizin në kushte të pasigurta dhe të rrezikojnë jetën çdo ditë.
Fotot e siguruara tregojnë edhe një autobus të transportit urban të bllokuar në këtë segment, teksa kalon në një hapësirë të ngushtë pranë një biznesi privat.
Banorët shprehen se situata është veçanërisht shqetësuese pasi në këtë aks kalojnë çdo ditë qindra qytetarë dhe studentë, për shkak të pranisë së një universiteti në zonë. Gjithashtu, shumë persona presin autobusin buzë rrugës pa asnjë siguri apo infrastrukturë të përshtatshme.
Një tjetër problem i ngritur është edhe disniveli i madh mes korsive të përkohshme të qarkullimit. Sipas qytetarëve, njëra pjesë e rrugës ndodhet rreth 20-25 centimetra më lart se tjetra, duke krijuar rrezik shtesë për drejtuesit e mjeteve.
Sipas denoncimit, në këtë segment janë regjistruar edhe aksidente me këmbësorë, çiklistë dhe automjete, ndërsa policia ndodhet shpesh në zonë për të menaxhuar trafikun dhe kaosin e krijuar nga punimet.
Qytetarët ngrenë shqetësime edhe për cilësinë e punimeve, duke theksuar se asfalti i shtruar vetëm pak muaj më parë është dëmtuar sërish dhe rruga është mbushur me gropa, në disa raste më të thella se ato që ekzistonin para ndërhyrjes.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet për garantimin e sigurisë së këmbësorëve dhe normalizimin e qarkullimit në një nga akset më të frekuentuara pranë hyrjes së Tiranës.


