Partia shqiptare në pushtet VLEN ka përsëritur akuzat ndaj BDI-së dhe ish-drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, për presin ndaj një kompanie evropiane në interes të një kompanie serbe.
“U bënë katër ditë nga dalja në shesh e pretendimeve lidhur me biznesin e gardheve mbrojtëse, ndërsa opinioni nuk mori përgjigje të saktë për atë që vërtet ka peshë. Me vite BDI na shiti përralla për Evropën. Tani po dëgjojmë se një kompani evropiane është lënë anash, ndërsa rruga i është hapur për një kompani nga Serbia. Kjo nuk është punë e vogël. Nuk po flasim vetëm për kompani e kontrata, por po flasim për biznes milionësh. Për para të qytetarëve, interesa nga jashtë dhe gardhe mbrojtëse që duhet të ruajnë jetë njerëzish. Në përgjigjen e tij, Ejup Rustemi mundohet ta zhvendosë debatin te ajo nëse Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore ka shpallur apo jo tender. Por, këtu nuk është thelbi. Thelbi është krejtësisht tjetër. A ka ushtruar presion ndaj kompanisë evropiane dhe a i është hapur rrugë kompanisë serbe? A janë orientuar kompanitë se ku t’i blejnë gardhet? Këtyre pyetjeve, Rustemi nuk u përgjigjet. Nëse të gjitha informacionet e publikuara janë të pavërteta, pse Rustemi nuk reagoi në momentin kur u publikua artikulli, por reagoi vetëm pasi VLEN-i kërkoi veprime nga Prokuroria e Islam Abazit?”, – u shpreh Daut Memishi nga VLEN.


