Në Parlamentin Republikan po përgatitet platformë që edhe deputetët të mund të mund të punojnë dhe votojnë nga shtëpia ose nga zyrat e tyre të punës, por ende nuk janë precizuar detajet se si do të realizohet ajo
Shkup, 26 gusht – Si rezultat i pandemisë me koronavirusin, seancat plenare të Parlamentit janë transferuar në sallën “kupola”, në të cilën më lehtë mund të mbahet edhe distanca mes deputetëve, ndërsa Qeveria teknike muajve të fundit në vazhdimësi mbanë mbledhjet e saj onljan. Në Parlamentin Republikan po përgatitet platformë që edhe deputetët të mund të mund të punojnë dhe votojnë nga shtëpia ose nga zyrat e tyre të punës, deklaroi deputeti i ri nga radhët e LSDM-së dhe ministër i deritanishëm për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançevski. “Në Parlament veç se punohet në platformën më të cilën edhe deputetët do të punojnë dhe vendosin nga shtëpia ose zyrat e tyre të punës, që është një sfidë në vete. Shërbimet e Parlamentit punojnë në këtë dhe besojë se deri në fund të shtatorit do të jetë edhe kjo e mundur”, deklaroi Mançevski.
Edhe nga kabineti i kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi për KOHA thonë se po punohet në gjetjen e një mënyrë për tu realizuar seancat online, por nuk japin më shumë detaje. Ish –deputet Zudi Xhelili vlerëson se përbërja e re parlamentare do të ballafaqohet edhe me mënyrën e mbajtjes së mbledhjeve, sepse gjendja me pandeminë do te paraqes probleme plotësuese sa i përket punimeve te Parlamentit. “Pritet që kjo përbërje parlamentare të ballafaqohet edhe me mënyrën e mbajtjes së mbledhjeve, sepse gjendja me pandeminë do të paraqes probleme plotësuese sa i përket punimeve të Parlamentit. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në mbledhje online e dinë më sa vështirësi ata realizohen, sidomos nga aspekti teknologjik, (ndërprerje të shumta) por edhe nga aspekte tjera. Pra, lirisht mund të themi se efikasiteti do të ishte zero, kur dihet se Parlamenti është organi më i lartë ligjvënës dhe se në punimet e Parlamentit sillen akte me rëndësi të veçantë (Ligje, ratifikime dhe vendime tjera të rëndësishme). Nëse kjo mënyrë e punës imponohet patjetër s’kemi çfarë të mendojmë, por as përafërsisht nuk është ajo çfarë duhet me qenë”, vlerëson Xhelili. Ndryshe, Qeveria në detyrë edhe tani punon në mënyrë onljan, ndërsa ndryshimet në rregullorën e punës i ka miratuar me kohë. (koha.mk)



