Alsat 2019-05-31T14:50:46+02:00
Krijimi i deponive jolegale në Komunën e Çairit, ka detyruar institucionet përgjegjëse për të satën herë të dalin në teren për të ndërgjegjësuar qytetarët. Nga ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” përveç pastrimit gjeneral me dorë dhe makina kanë ndarë edhe broshura për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe rregulla për vendin dhe kohën e hedhjes së mbeturinave. Nga Komuna e Çairit dhe Higjiena Komunale thonë se pika më kritike vazhdojnë të mbeten pronat private të parrethuara, disa rrugë në Fushë Topanë dhe lokacioni i vjetër i Higjienës Komunale.
Gjithë atë që kanë kërkuar banorët e asaj ane ne me mundësitë tona u kemi dal në ndihmë. Përsëri është problem serioz pronat private, në ato pjesë ku ne edhe nuk kemi të drejtë të hyjmë në pronat private që të bëjmë pastrimin e tyre. Sigurisht janë ata mbledhësit joformal që jetojnë në atë pjesë dhe për çdo ditë e bëjnë të njëjtën fotografi që shihet për çdo ditë – tha Abdusamed Shabani, drejtor i “Higjienës Komunale”.
Komuna e Çairit ka nda edhe mjete, tashmë e kemi siguruar një kamion të vogël për pastrimin e rrugëve aty në ato lagje ku rrugët janë më të ngushta, edhe për t’i la. Në të ardhmen do të investojmë në mekanizëm, në teknologji më të reja për ti pastruar rrugët – tha Visar Ganiu, kryetar i Çairit.
Këshillat për mjedis të pastër duket se kanë nisur ti kuptojnë vetëm nxënësit e shkollave fillore të cilët apelojnë për selektim të mbeturinave.
“Duhet të kujdesemi shumë për mjedisin tonë sepse një është toka, nuk mund ta ripërtërijë askush, çdo mbeturinë duhet ta hedhim në kosha të posaçëm, çdo kosh është në ngjyrë të ndryshme”.
“Nëse i selektojmë kjo është shumë mirë për planetin tonë, me këtë edhe mbrojmë planetin tokë. Mbeturinat më të mëdha, për shembull mobilje të vjetër ato duhet t’i dërgojmë në vende të posaçme për shkak se ato nuk mund ti bartin kamionët e vegjël, janë shumë të mëdha”.
Nga Higjiena Komunale iu bëjnë thirrje qytetarëve se për çdo problem komunal mund të drejtohen në numrin kujdestar 3216 644. Gjithashtu, përmes këtij institucioni qytetarët falas do të mund ti hedhin edhe mobiljet e vjetra, pajisjet elektrike dhe elektronike në Vardarishte dhe Karposh.
Melihate Rustemi
Loading…



