30 March 2018 / 14:29
Bllokimi i zgjidhjes së emrit dhe anëtarësimit në NATO është njëri nga skenarët e mundshëm që mund të vijë si kundërpërgjigje nga Rusia për dëbimin e diplomatëve të saj nga vendi. Ish diplomati Risto Nikovski në emisionin e mbrëmshëm Rruga Drejt gjithashtu theksoi se Maqedonia duhej të ndiqte shembullin e shteteve të BE-së mes të cilave edhe Greqia dhe Bullgaria të cilat nuk dëbuan diplomatët rus.
Çfarëdo që të merremi vesh me Greqinë, ajo do të kalojë në Këshillin e Sigurisë. Nëse Rusia vendos veto, zgjidhje s’mund të ketë dhe si rrjedhojë nëse zgjidhje nuk ka, nuk ka as NATO. Të mos e harrojmë se në NATO nuk do të na pranojnë asnjëherë me referencën. Nëse mbetet kështu siç është tani, nuk ka NATO. Ne faktikisht e presim degën ku jemi ulur dhe për të cilën kemi konsensus në shtet për BE-në dhe NATO-n – tha ish-ambasadori Risto Nikovski.
Por sipas historianit Vebi Xhemaili Rusia asnjëherë nuk ka qenë aleate e Maqedonisë përkundrazi ka tenutar ta destabilizojë vendin.
Nuk është mirë të vihen në binarë diplomacia evropiane dhe amerikane, që në çastet më të vështirë për shtetin ishin aty për të na nxjerrë prej situate. Kurse diplomacia ruse gjithnjë tenton t’i ngatërrojë disa punë, veçanërisht qëndrimin e qartë tonin, të politikës së shtetit dhe gjithë qytetarëve ku mbi 90% janë përcaktuar më për Evropën, për prosperitetin e tyre ekonomik, politik, social. Sot të bëhen këso krahasimesh nga ana e diplomatit nuk e shoh në rregull – tha historiani Vebi Xhemaili.
Në shenjë solidarizimi me Britaninë e Madhe për rastin “Skripal”, mbi 20 shtete kanë dëbuar diplomatë rus, 60 prej të cilëve vetëm SHBA-të. Rusia iu kundërpërgjigj SHBA-ve me dëbimin e 60 diplomatëve amerikanë dhe mbylljen e konsullatës në Shën Pjeteburg. Ndërsa është kërcënuar se në kohë do t’iu hakmerret të gjitha shteteve, përfshirë edhe Maqedonisë për pjesëmarrje në këtë akt që Rusia e konsideron provokimin më të madh politik.


