Episodi i parë i serialit të ri të televizonit TRT1, “Ninulla Ballkanike” (Balkan Ninnisi), do të shfaqet më 21 qershor para publikut, njoftoi ekipi realizues i serialit në takimin e sotëm me gazetarët në Shkup.
Regjisorë të serialit, i cili trajton një histori dashurie të pamundur në Shkup, janë Doğan Ümit Karaca dhe Volkan Kapkın. Seriali pritet të bëhet hit sipas shikueshmërisë dhe përpos në TRT1, të emetohet edhe në shumë teevizione tjera të rajonit dhe më gjerë.
Në produksion, i cili filloi xhirimet në Shkup të Maqedonisë së Veriut në maj, personazhi kryesor “Ertan” do të interpretohet nga aktori i ri Emre Bey, dhe roli i “Jovankës” nga aktorja Merih Öztürk.
Përveç aktorëve të njohur si Erdal Özyağcılar dhe Özlem Türkad, në serial marrin pjesë edhe aktorët: Hakan Boyav, Can Kolukısa, Suzan Akbelge, Sarp Bozkurt, Gözde Çığacı, Deniz Gürkan, Emine Halil, Burak Rahman, Süleyman Kara, Kaan Turgut, Bennu Şahin dhe Erman Saban.
Në serial, skenari i të cilit u shkrua nga Uğur Uzunok, Nurullah Zengin, Abdülhamid Işık dhe Esma Koç, para publikut do të prezantohet historia e përpjekjes së Ertanit dhe Jovankës, të cilët nuk munden ta përjetojnë dashurinë e tyre për shkak të presionit të familjeve të tyre, për t’u bashkuar me njëri-tjetrin dhe se si dy familje nga kombësi të ndryshme jetojnë në të njëjtën shtëpi.
Producentët e serialit, Yalçin Ari, Uğur Uzunok dhe aktori Hakan Boyav, sot iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve para premierës së nesërme të episodit të parë të serialit.
Producenti Yalçin njoftoi se që dy muaj janë në Shkup me një ekip prej 200 personash dhe tha se tashmë janë mësuar, ndjehen si vendas dhe se tashmë janë pjesë e strukturës multikulturore të vendit, e cila është shumë e pasur në këtë aspekt.
Duke theksuar se kanë mbështetje të madhe nga institucionet maqedonase, siç janë Ministria e Kulturës, shërbimet e sigurisë, policia, komuna dhe qytetarët, Yalçin tha se nesër do të jetë premiera e episodit të parë të serialit turk TRT 1.
“Njerëzit në Türkiye do të shohin kulturën dhe indin e këtij vendi. Prandaj jo të gjitha gjërat janë sjellë nga Türkiye. Është krijuar së bashku me strukturën lokale dhe kjo është pasuria dhe dallimi i këtij seriali”, tha producenti Yalçin.
I pyetur se sa një i huaj mund të tregojë realisht rrëfimin e dashurisë së dy të rinjve, një maqedonase dhe një turku në Maqedoninë e Veriut, Uzunok, producenti dhe skenaristi i serialit, tha se vjen nga Novi Pazari dhe se ndihet si një ballkanas.
“Unë jam edhe producent edhe skenarist i projektit, por para kësaj jam nga Novi Pazari, pra jam boshnjak. Origjina ime është boshnjake, e gjithë familja ime është boshnjake, rreth 13 vjet çdo vit vizitoj vendet e Ballkanit dhe Maqedoninë (e Veriut)”, tha Uzunok, duke shtuar se ka vizituar qytete si Ohri, Struga, Manastiri, Prilepi, Velesi dhe se ka një numër të madh miqsh me të cilët komunikon dhe se ndihet si ballkanas.
Aktori Boyav, i cili luan rolin e Danielit, tha se është shumë i lumtur që ndodhet në Shkup dhe është pjesë e serialit “Ballkan Ninnisi”.
Duke theksuar se së bashku regjisori dhe skenaristi para fillimit të xhirimeve të serialit kanë bërë hulumtime për mënyrën e jetesës së popullit maqedonas, Boyav tha se është i gatshëm të luajë rolin e babait (Daniel) në një familje maqedonase.
“Mund të them se më pëlqente të luaja si babai i familjes maqedonase. Në fund të fundit, qoftë familje turke apo maqedonase, ju luani rolin e një personi. Por familja maqedonase ka një stil pak më ndryshe të veshjes, një mënyrë jetese pak më ndryshe, sinqerisht kjo më pëlqeu”, tha aktori Boyav.
Seriali do të tregojë rrëfimin e dashurisë së dy të rinjve, Ertanit dhe Jovankës, të nacionaliteteve të ndryshme në Shkup. Do të tregohet rrëfimi i betejës së tyre për të arritur të pamundurën në emër të dashurisë.