Dallimet e mëdha mes pushtetit dhe opozitës lidhur me metodologjinë që duhet të përdoret në procesin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, mund ta rrezikojnë gjithë këtë proces, thonë nga Enti shtetëror i Statistikave.
Partia maqedonase në opozitë, OBRM-PDUKM është kundër Ligjit për regjistrim, për të cilin ka përfunduar debati parlamentar dhe i njëjti pritet të miratohet në fillim të javës së ardhshme.
OBRM-PDUKM-ja kërkon që procesi i regjistrimit të shtyhet për një vit, pasi siç thonë nga kjo parti, në të nuk janë përfshirë standardet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që nuk është e përcaktuar as metodologjia e regjistrimit.
Madje, OBRM-PDUKM-ja bën të ditur se ka nisur procedurën për mbledhjen e nënshkrimeve, me qëllim që të kërkojë shfuqizimin e Ligjit për regjistrim dhe kanë paralajmëruar se nëse bëhet regjistrimi i popullsisë ata nuk do t’i pranojnë rezultatet.
Ndërkaq, partitë e koalicionit qeverisës, Lidhja Social Demokrate dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, kanë thënë se regjistrimi i popullsisë do të bëhet gjatë këtij viti dhe ky proces do të bëhet sipas dispozitave të Eurostat-it dhe sipas standardeve ndërkombëtare.
Këto dy parti kanë këmbëngulur se regjistrimi nuk do të shtyhet, por do të zhvillohet në muajin prill.
Sipas regjistrimit të fundit, në Maqedoninë e Veriut 25.17 për qind e popullsisë janë shqiptarë, por kjo përqindje në vazhdimësi është kontestuar nga pala maqedonase, veçanërisht nga opozita.
Çështja e regjistrimit mbetet në fokus të polemikave, pasi në Kushtetutë, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.
Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut mbetet peng i frikës nga numri i shqiptarëve.
“Përplasjet mes partive maqedonase lidhur me regjistrimin nuk janë çështje e parimeve, por janë çështje të diskriminimit, përkatësisht se cila do të arrijë të diskreditojë më shumë palën tjetër, këtu mendoj palën shqiptare, që të mund të regjistrohet. Mendoj se pa u reformuar Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe OBRM-PDUKM-ja dhe një herë e përgjithmonë ta heqin nga koka se shqiptarët janë aq apo kaq e se mund t’ua rrezikojnë këto numra (përbërja e shqiptarëve) do të kisha thënë në thonjëza ‘të ardhmen e tyre’, mendoj se shumë vështirë do të mund të ecet përpara”, thotë Sinani.
Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Entit shtetëror të Statistikave, Ilmi Selami tha për REL se se janë bërë të gjitha përgatitjet për të pas një proces të regjistrimit të popullsisë, i cili do të jetë i besueshëm dhe në përputhje me standardet që kërkohen nga Eurostat-i.
Sipas tij, ajo që mund ta rrezikojë këtë proces është kundërshtimi i shprehur nga opozita maqedonase.
nga TaboolaRekomanduarMund t’ju interesojnë
Vlerat e Propolisit për shëndetin. Antibiotik natyral. I duhuri për këtë periudhë që po kalojmë
mjekesia.org
Një dimër pa viruse, si të mbrohemi dhe të parandalojmë sëmundjet
mjekesia.org
How To Watch American Netflix if You Are Outside The US
VPN Advisor
“Kur shohim sjelljen e partive politike opozitare, këtu mbi të gjitha mendoj për partinë maqedonase në opozitë OBRM-PDUKM, na frikëson se kjo mund të ndikojë negativisht në realizimin e një procesi të suksesshëm të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut”, thotë Selami duke shtuar se Enti shtetëror i Statistikave mund t’u përgjigjet me sukses sfidave për të pasur një proces të regjistrimit të besueshëm.
Më 2020, regjistrimi i popullsisë u shty për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe pandemisë së koronavirusit.
Maqedonia e Veriut për herë të fundit ka regjistruar popullsinë më 2002. Më 2011 ky proces ishte ndërprerë për shkak të mospajtimeve politike./REL/