Alsat 2019-08-20T19:59:12+02:00
Çka është Zagrebi? Për një shqiptar Zagrebi është Millan Shufllaji, albanolog i vrarë nga agjentët e Beogradit, është Mirosllav Kërlezha që shkruante kundër terrorit të Mbretërisë Serbe në Kosovë, është Jozha Horvati, shkrimtar, autor i udhëpërshkrimeve me titullin “Besa” (këtë titull librat e bartin edhe në kroatisht), është Drazhen Petroviqi, basketbollisti i shumë ëndrrave tona fëminore, është Darko Hudelisti, autor i një libri për krizën e Kosovës në fund të viteve ’80, është Branko Horvati, ekonomisti i famshëm, autor i librit “Çështja e Kosovës”, ky libër në Jugosllavi e ka pasur atë efekt që më vonë do ta kishte në arenën ndërkombëtare libri mbi historinë e Kosovës i Noel Malcolmit. Për një shqiptar personifikim i Zagrebit janë mijëra shqiptarë ndërmarrës, bukëpjekës, prodhues e shitës akulloresh, argjendarë që stolisin gishtat e damave të Zagrebit («E di kush ishte ajo gruaja atë ditë që ma solli atë unazën me diamant për t’ia ndrequr? E dashura e Titos. Është profesoreshë e japonishtes»).
Zagreb janë ata ndërtimtarë dhe biznesmenë si i paharrueshmi Vebi Velija nga Gradeci i Gostivarit, pikërisht ai që gjente kohë të regjistrojë në Zagreb revistën e pavarur KOHA të Kosovës, janë edhe shumë profesionistë fushash të ndryshme që u formuan në Zagreb dhe në fillim të viteve 70-të madje qenë pjesë e rëndësishme e lëvizjes politike Pranvera Kroate, Zagreb është Ardian Kozniku, Dinamo e Zagrebit, është Glavni Kolodvor, stacioni i trenit ku nisnin ose përfundonin shumë ëndrra, Zagreb (dhe Kroaci!) janë gjeneralët e Kroacisë me origjinë shqiptare që luftuan për çlirimin e vendit, është Zagreb (dhe Shibenik) gjenerali Rahim Ademi, ai që e ka mposhtur Ratko Mlladiqin në fushëbetejë dhe nuk ka lejuar pushtimin e Shibenikut nga forcat serbe, Zagreb janë gjenerali i APJ-së Ramiz Abdyli dhe profesori i Universitetit të Zagrebit Behlul Brestovci, Zagreb është edhe Esad Mekuli që këtu shkroi zërat që lidhen me shqiptarët për projektin e Enciklopedisë së Jugosllavisë…
Loading…



