Lëvizja Studentore nga Maqedonia e Veriut ka nderuar heroin tetovar Mujdin Aliu, duke interpretuar me emocion këngën “Lulja e Koshares” gjatë aktivitetit rinor që po zhvillohet në Jalë të Shqipërisë.
Aktiviteti organizohet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, në bashkëorganizim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, dhe ka mbledhur mbi 200 studentë nga vende të ndryshme të rajonit, përcjell Almakos.
Në këtë organizim marrin pjesë rreth 35 studentë nga Maqedonia e Veriut, 20 nga Kosova, 10 nga Mali i Zi, ndërsa pjesa tjetër janë studentë nga Shqipëria.
Përveç aktiviteteve kulturore dhe përkujtimore, studentët po zhvillojnë edhe sesione debatesh dhe diskutimesh me personalitete të fushave të ndryshme, me fokus shkëmbimin e përvojave, fuqizimin e rolit të të rinjve dhe bashkëpunimin rajonal.
Momenti më emocional ishte interpretimi i këngës “Lulja e Koshares”, përmes së cilës studentët përkujtuan heroin tetovar Mujdin Aliu, i cili ra heroikisht në Betejën e Koshares, duke e kthyer këtë aktivitet në një mesazh respekti për sakrificën dhe historinë kombëtare./Almakos


