Nga 35 komunat në të cilat janë zhvilluar zgjedhjet për rrethin e dytë, Organizata Qytetare “Civil” ka vërejtur parregullësi në 18 prej tyre. Xhabir Deralla, kryetar i kësaj organizate bën të ditur se në këtë listë parregullsi më të mëdha janë vërejtur në Çair, Saraj, Likovë, Studeniçan, Butel, Gazi Babë, Kisella Vodë, Shuto Orizare dhe Probishtipi. Si njërin prej shkaktarëve të këtyre parregullsive Deralla e cilëson administratën zgjedhore, e cila sipas tij edhe në këtë cikël zgjedhor ka dështuar.
XHABIR DERALLA, KRYETAR I QENDRËS PËR LIRI “CIVIL”
“Ajo që e vëren CIVIL është se fatkeqësisht në këtë proces zgjedhor, administrata zgjedhore dështoi përsëri. Edhe përkundër gjitha paralajmërimeve të 2016-tës, ashtu edhe të 2017-tës që vijnë nga oganizatat joqeveritare, kryesisht nga qendra qytetare ‘Civil’, administrata zgjedhore nuk arriti t’i rregullojë problemet që kanë lidhje me listën zgjedhore, megjithatë edhe për problemet tjera që janë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve”.
Parregullsitë zgjedhore, sipas Derallës, i kanë shkaktuar edhe vetë vëzhguesit e këshillave zgjedhorë, të cilët kanë funksionuar sipas lidhjeve partiake.
XHABIR DERALLA, KRYETAR I QENDRËS PËR LIRI “CIVIL”
“Ajo që gjithashtu ka vërejtur Organizata Qytetare ‘Civil’ është se vëzhguesit e këtij intitucioni, pra një pjesë e këshillave zgjedhor gjithashtu kanë funksionuar sipas lidhjeve partiake, pra kanë bërë agjitacion, e kanë thyer heshtjen zgjedhore, kanë bërë mobilizim të vetë vendvotimit. Ndërsa në disa raste edhe i kanë ndihmuar votuesëve për atë se kujt duhet t’ia japin votën. Kjo është diçka që duhet të jetë lëndë për të cilën duhet të punojë KSHZ-ja në të ardhmen”
Ndër parregullsitë e shumta që janë vërejtur nga Organizata Qytetare CIVIL, Deralla thekson se procesi zgjedhor në disa momente ka qenë edhe i dhunshëm, pasi ka pasur shumë incidente, zënka, por edhe incidente me armë. Emine Ismaili /SHENJA/

