Prioritetet reale të komunave janë të ndryshme dhe esenciale, por kryetarët e komunave realisht duhet që të bazohen në disa prioritete. Edhepse jemi në prag të zgjedhjeve lokale, ku kanditatët do të dalin me platformatt e tyre, se ku do të fokusojnë punën, nga përvojat e mëparshme ka mangësi në plotësimin e nevojave të komunave apo qytetarëve. Por, sipas analistëve ata duhet që në platformat e tyre të vënë theksin që t’u kushtojnë rëndësi politikës lokale, në aspektin e infrastrukturës, problemet sociale, si çështje primare dhe më pas të realizohen, të njejtat, shkruan Almakos.
“Prioritetet reale të komunave urbane duhet të fokusohen në shumë parametra dhe njëkohësisht t’i kushtojnë rëndësi politikave lokale, duke u nisur që nga aspekti i infrastrukturës, ruajtjes së mjedisit ekologjik, zhvillimit të mirëqenies sociale dhe thithjes së investimeve të huaja. Mjaft e rëndësishme është rritja e fuqisë investuese në komunat urbane, kjo realizohet edhe përmes përdorimit të instrumenteve të partneritetit publik privat dhe të partneritetit me qeverinë. Mendoj se rritja e investimeve ose thithja e tyre përmes mekanizmave që posedojnë autoritetet lokale mund të krijojnë infrastrukturë të qëndrueshme për politikat fiskale, zhvillimin dhe rritjen ekonomike, nxitjen e krijimit të bizneseve të reja dhe krijimin e mundësive të reja të punësimit. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i menaxhimit të komunave urbane është dhe qeverisja transparente me mjetet e qytetarëve. Destinimi i mjeteve publike duhet të realizohen në mënyrë transparente, dhe në vende ku investimi mund të kthehet si interes i qytetarëve dhe i vetë komunës”, thotë analisti politik Bujar Plloshtani, për Almakos.
Por, sipas tij prioritet tjetër kyç i komunave duhet të jetë edhe politika fiskale, e cila ka të bëjë me përdorimin e shpenzimeve qeveritare si dhe zbatimin e politikës së taksave për të arritur qëllime të caktuara ekonomike dhe sociale.
“Pasi politikat fiskale janë parametrat që mund të sigurojnë zgjerimin dhe nxitjen e të ardhurave fiskale të komunave, të cilat më pas destinohen në investime kapitale për të mirën e qytetarëve. Edhe ulja e disa taksave mendoj se në disa aspekte mund të ndikojë në përmirësimin dhe zhvillimin e shëndetshëm të bizneseve, mundësi e mirë në nxitjen e bizneseve të reja dhe thithjen e investimeve të huaja”, tha analisti Bujar Plloshtani, për Almakos.
Sipas profesorëve universitar, kandidatët më tepër do duhet ti kenë programet e tyre rreth asaj që është e lidhur ngushtë me qytetarët dhe duhet ti kushtojnë rëndësi politikës lokale, me programe operative reale dhe të realizueshme si në aspektin e infrastrukturës, ekologjisë, ujësjellësit dhe kanalizimeve, poashtu hapjes së vendeve të punës. Dhe sigurisht që krahas tyre, duhen shqyrtuar të gjitha problemet që tangojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas profesor Zemri Elezit, njohësit të çështjeve politike, fokusi kryesor i kryetarëve të ardhshëm të komunave do duhet të jetë tek pengimi i të rinjve që të mos largohen nga vendi. Ai gjithashtu shton, se sa i përket buxhetit të komunave duhet që kryetarët të japin vizionin e tyre se si ai buxhet të rritet.
Ndërkaq, Hasan Jashari profesor universitar deklaron se kandidatët në platformat e tyre kanë prioritetet kryesore, të cilat premtojnë se do i realizojnë gjatë mandatit, por sipas tij, kryesorja qëndron sigurimi i mjeteve më të mëdha në buxhet.
Të pyetur disa qytetarë nga vendi thonë se çështja primare, që duhet të mendon një kryetar është zvogëlimi i papunësisë, parandalimi i migrimit, rikonstruimi i rrugëve, shkolla dhe spitale me pajisje, për nevojat e qytetarëve. Por, vënë theksin se edhepse flitet për nevojat, ato shumë ngadal zbatohen dhe përmirësohet gjendja.
/Delvina Kërluku
Almakos.com

