Përsëritja e zgjedhjeve në Komunën e Çairit është një proces që po përsëritet për herë të dytë në këtë Komunë. Kjo është hera e dytë që institucionet kompetente konstatojnë parregullsi në komunën e Çairit dhe në të dyja rastet kontestohet fitorja e kandidatëve të BDI-së.
Herën e parë rasti ishte edhe më skandaloz dhe përveç KSHZ-së, parregullsitë ishin konstatuar edhe nga gjykatat dhe më pas ky rast u trajtua edhe nga Prokuroria Speciale publike.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, pati shpallur fitore që në rreth të parë. Por, pas ankesës së PDSH-së, KSHZ konstatoi parregullsi të rëndë gjatë numërimit të votave. Komisionerët kanë ndryshuar rezultatin në procesverbal dhe ishin shkruar më shumë vota sesa që ndodheshin realisht në kutitë e votimit.
Dallimi i numrit të votave që ishin shkruar në procesverbal kishin ndikuar që t’i japin fitoren Mexhitit që në rreth të parë dhe zbulimi i kësaj shkelje ndikoi që në Çair të ketë rreth të dytë.
Pas publikimit të aferës së përgjimeve, këtë rast e mori në dorë edhe Prokuroria Speciale Publike e cila hapi lëndën “Titanik” ku koordinatori i BDI-së, Ejup Halimi dhe funksionari tjetër i kësaj partie, Ismet Gurri u dyshuan për veprën penale “shkatërrim të materialit zgjedhor” .
Pas përfundimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 29 tetor, vendvotimi 2901 në Komunën e Çairit është i vetmi në të cilin do të përsëriten zgjedhjet. Këtë vendim e mori Gjykata Administrative duke kontestuar kështu fitoren e shpallur para kohe nga kandidati i BDI-së dhe LSDM-së në Çair, Visar Ganiu. Arben Zeqiri /SHENJA/

