Të dhënat zyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor kanë nxjerr në pah një ndihmë të madhe që LSDM ju ka dhënë kandidatëve të BDI-së për kryetarë në komunat e dominuara me shqiptarë, raporton Televizioni SHENJA.
Kjo ndihmë është edhe më e madhe nëpër komunat urbane, ndërsa ka ardhur edhe falë faktit se LSDM në këto komuna ka pasur listë për këshilltarë komunal me çka ka mobilizuar votuesit të dalin në votime. Por, në rrethin e dytë do të votohet vetëm për kryetarë të komunave dhe në këtë rast votuesit e LSDM-së nuk do të kenë motivin primar, listat e kandidatëve për këshilltarë komunal dhe as zgjedhjet për Qytetin e Shkupit. Me këtë, BDI rrezikon që në rrethin e dytë të mos fitojë të gjitha votat e LSDM-së të cilat i ka fituar në rrethin e parë. E gjithë kjo ua vështirëson dukshëm punët kandidatëve të BDI-së si në ato komuna ku në balotazh janë me Lëvizjen BESA, ashtu dhe në ato ku përballen me Aleancën për Shqiptarët.
Në Komunën e Çairit, kandidati i BDI-së ka fituar gjithsej 11.841 vota, apo 3480 vota më shumë sesa Lista e BDI-së për këshilltar komunal. Ndërkohë LSDM ka fituar 4382 vota për këshilltar komunal që flet për një mbështetje të madhe të LSDM-së ndaj BDI-së nëse krahasohet dallimi mes listës dhe kandidatit të BDI-së. Dallimi mes kandidatit të BDI-së dhe Lëvizjes BESA në Çair është 1653 vota, andaj nëse BDI-së nuk i dalin gjysma e votuesve të cilët e kanë mbështetur në rrethin e dytë atëherë në epërsi kalon kandidati i Lëvizjes BESA.
Gjasat për këtë edhe më shumë rriten kur merret parasysh fakti se në dispozicion janë edhe 3.000 vota opozitare shqiptare.
Situatë e ngjashme është edhe në Tetovë ku BDI në balotazh do të shkojë me Lëvizjen BESA, ndërsa në rrethin e parë BDI ka pasur mbështetje të madhe nga LSDM. Kandidatja e BDI-së, Teuta Arifi ka fituar 2617 vota më shumë sesa lista e BDI-së për këshilltar, ndërsa lista e LSDM-së në Tetovë ka pasur 4.123 vota.
As në Tetovë votuesit maqedonas të LSDM-së nuk do të kenë motivin primar për të dalë në zgjedhje, atë të listës për këshilltar. Andaj mosdalja e tyre në rrethin e dytë rrezikon dukshëm kryetaren aktuale të komunës, pasi përballë do të ketë edhe votat opozitare shqiptare.
Në rast se BDI-së nuk i përsëritet mbështetja e LSDM-së në rrethin e dytë, atëherë Lëvizjes BESA do t’i mjaftojnë votat e njërës parti shqiptare, Aleancës për Shqiptarët ose PDSH-së, ose gjysmat e votave nga të dy partitë. Po aq e vështirë do të jetë situata edhe për kandidatin e BDI-së në Gostivar ku në rrethin e dytë do të përballen me Aleancën për Shqiptarët. Kandidati i BDI-së ka fituar 3666 vota më tepër se lista e këshilltarëve komunal të BDI-së, ndërsa lista e këshilltarëve të LSDM-së ka fituar 4510 vota që po ashtu dëshmon për një mbështetje në masë të madhe të LSDM-së.
Dallimi mes kandidatëve të BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët është vetëm 495 vota në favor të të parëve. Në këtë situatë BDI mjafton të mos marrë vetëm 500 vota nga votat e LSDM-së që ka fituar në rrethin e parë dhe fitorja në këtë komunë i takon Aleancës për Shqiptarët. Nga ana tjetër, në dispozicion të Aleancës janë 3104 vota opozitare të cilat në rrethin e parë i ka fituar kandidati i Lëvizjes BESA. Arben Zeqiri /SHENJA/

