Në zonën zhvillimore teknologjike-industriale Shkupi 1 sot është vendosur gur-themeli i kompanisë turke “Çagataj Kabllo” që do të prodhojë kabllo për industrinë automobilistike, para se gjithash të dedikuara për autobusët e “Van Holl”. Siç theksoi pronari Ahmet Korogllu, në fazën e parë do të ndërtohet një objekt në sipërfaqe prej 7.000 metra katrorë në vlerë prej katër milionë euro dhe do të punësohen 100 persona, ndërsa më vonë objekti do të zgjerohet me çka investimi do të rrumbullaksohet në gjashtë milionë euro dhe do të punësohen 300 persona.
Kompania, siç tha, 20 vite prodhon dhe ka përvojë 35-vjeçare në këtë sektor, ndërsa në objektin e tyre në Stamboll, i cili është në sipërfaqe prek 140.000 metra katrorë ka 315 të punësuar. Pritet që kompania ta fillojë prodhimin në Shkup nga fundi i marsit ose në fillim të prillit të vitit të kaluar.
Në vendosjen e gur-themelit mori pjesë edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev, i cili theksoi se Çagataj Kabllo marrëveshjen për ndërtimin e objektit e ka lidhur në vitin 2016, por nuk ka marrë subvencione nga Qeveria sepse nuk kanë arritur ta lidhin marrëveshjen për mbështetje me qeverinë paraprake. Me simulimin e bërë, siç tha, konform masave të reja që janë në draft version, Çagataj Kabllo do të marrë më shumë mjete sesa të kishte lidhur kontratë me pushtetin e kaluar për ndërtimin e kompanisë në zonën e lirë.
Krahas kësaj, me masat e reja, subvencione do të marrë edhe Van Holl sepse do të shfrytëzojë kabllo nga Çagataj Kabllo, e cila, siç tha Angjushev, do të konsiderohet si kompani e Maqedonisë. I pyetur nëse prania e sotme në vendosjen e gur-themelit do të thotë praktikë siç ka pasur pushteti i kaluar gjatë zgjedhjeve të promoven investime të huaja, Angjushev tha se nuk ka kurrfarë përkatësie partiake dhe se do të marrë pjesë në vendosjen e çdo gur-themelëve të të gjitha kompanive që do të thonë zhvillim të ekonomisë në Maqedoni.

