Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, foli në konferencën vjetore të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), ku u diskutua me temën “Sfidat e kompanive në RMV, në sigurimin e fuqisë punëtore në epokën e globalizimit dhe digjitalizimit”.
Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se sfidat e kompanive tona në ofrimin e fuqisë punëtore në epokën e globalizimit dhe dixgjitalizimit, janë një problem që tashmë e kemi zbuluar dhe se është një realitet i hidhur për të gjithë Ballkanin Perëndimor, por edhe për Bashkimin Evropian.
“Vetë Bashkimi Evropian po vuan mungesën e fuqisë punëtore, pasi në analizën e publikuar së fundmi nga “Instituti i Sindikatave Evropiane”, në periudhën 2019-2022, në Evropë është vërejtur një mungesë rekord e fuqisë punëtore, dhe si arsye janp përmendur pagat e ulëta dhe kushtet e punës. Vetëm vitin e kaluar, një e katërta e bizneseve të BE-së raportuan probleme prodhimi si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore,” tha Bytyqi.
Zëvendëskryeministri Bytyqi iu referua edhe rritjes së pagave si një mekanizëm për të mbajtur fuqinë punëtore, por vuri në dukje se sado të rrisim standardin dhe pagat, nuk do të mund të konkurrojmë me vendet më të zhvilluara të BE-së që do të ofrojme gjithmone paga me te larta se sa ne mund t’i ofrojmë si shtet.
“Shifrat që do t’ju tregoj mund të duken paradoksale dhe kontradiktore, por këtu është gjeneza e problemit të kompanive tona në gjetjen e punëtorëve. Aktualisht në Agjencinë e Punësimit ka disa mijëra vende të lira pune, ndërkohë që në të njëjtën Agjenci janë regjistruar mbi 115 mijë të papunë, shifra kontradiktore në pamje të parë, por realiteti është se këta të papunë nuk janë të trajnuar për profesionet që kërkon tregu i punës”, tha Bytyqi.
Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Bytyqi tha në daljet e tij publike në muajt e fundit si zëvendëskryeministër, debatin për liberalizimin e tregut të punës e nisi duke rritur kuotat për punëtorët e huaj që aktualisht janë të kufizuara në 5000, por kjo masa nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë, sepse për Qeverinë kujdesi për qytetarët tanë është i pari.
“Fuqia e punës duhet të sigurohet në radhë të parë nga burimet e brendshme, nga bashkëqytetarët tanë që janë të papunë, por fatkeqësisht aftësitë dhe njohuritë e tyre nuk korrespondojnë me nevojat e tregut të punës, prandaj përmes planit operacional për punësim, Qeveria në forma të ndryshme synon kualifikimin dhe rikualifikimin e tyre të mëtejshëm, për t’iu mundësuar plotësimit të nevojave të tregut të punës”, tha Bytyqi i cili shtoi se përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve, Qeveria stimulon kompanitë që të rrisin pagat duke u ofruar. kompanitë kthejnë 20% të pagave që arrijnë në mbi 4400 euro në vit për person.