Një oficer policie u qëllua me armë zjarri pranë një sinagoge në Belleville, Ontario.
Rreth orës 19:10, oficeri “u përball me një individ” pranë sinagogës në Belleville, qytet që ndodhet rreth 185 kilometra në verilindje të Torontos, bëri të ditur Shërbimi Policor i Belleville në një deklaratë.
“Oficeri dhe individi pësuan lëndime dhe u transportuan në spital”, thuhej në deklaratë, pa dhënë detaje të tjera mbi mënyrën se si ndodhën të shtënat apo arsyen pse oficeri ndodhej në atë zonë.
Gjendja shëndetësore e oficerit nuk është bërë e ditur.
Policia deklaroi se aktualisht nuk ka rrezik për sigurinë e publikut.
Të shtënat ndodhën ndërsa besimtarët po mblidheshin në sinagogën Sons of Jacob për të shënuar Yom Kippur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebraik.
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, tha në një deklaratë se “i detyrohemi një mirënjohje të jashtëzakonshme këtij oficeri të guximshëm dhe të gjithë reaguesve të parë që vepruan kaq shpejt për të mbajtur komunitetin të sigurt”.



