31 October
Ekspertët nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore përgatisin një analizë të thellë të ndikimit dhe përdorimit të subvencioneve bujqësore në vend. Një ekip i zyrtarëve të tyre të lartë të enjten do të takohen me përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe me ministrin Ljupço Nikolovski. Ekspertët duhet të përcaktojnë nëse dhe çfarë rezultatesh kanë dhënë subvencionet që ndër vite i jep shteti për zhvillimin e bujqësisë.
Me Nikolas Bertolini dhe palët tjera relevante, si dhe me Bankën Botërore muajt e fundit diskutuam, kërkuam dhe besoj se të gjitha forcat do të drejtohen për të marrë analizë të thellë. Një аnalizë është funksionale në vetë ministrinë dhe tjetra është ndikimi i subvencioneve – deklaroi Lupço Nikolovski, Ministër i Bujqësisë.
Ekspertët e huaj thonë se në të kaluarën nuk ka pasur kontroll të brendshëm të të gjithë sistemit.
Nevojitet kontrolli i brendshëm. Nuk ka të dhëna të sakta nëse dhe sa sipërfaqe kanë paraqitur fermerët dhe nëse ato të dhëna janë të vlefshme apo jo. Nevojitet edhe regjistër teknik i ekonomive bujqësore – tha Marsel Mejer, ekspert.
Bashkimi Evropian me rreth 700 mijë euro financoi projekt për të përmirësuar sistemin informativ bujqësor dhe për vendosjen e sistemeve për shkëmbimin e të dhënave në mes të Ministrisë dhe institucioneve të tjera. Përmes tij do të sigurohet shkëmbim elektronik i të gjitha të dhënave të nevojshme me çka do të sigurohet zbatimi i politikave efektive bujqësore.
Verica Pavllovska

